Me iniciativë të presidentes Osmani dhe me mbështetjen e Katarit, invalidët e luftës do të pajisen me proteza ortopedike të avancuara

Zyra e Presidentes së Kosovës njoftoi se falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe me mbështetjen e Qatar Fund for Development në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe të Katarit, kanë filluar ekzaminimet mjekësore në Kosovë për invalidët e luftës, si pjesë e një projekti që do t’i pajisë ata me proteza ortopedike të avancuara dhe trajtim mjekësor të specializuar.

“Ky projekt përfaqëson më shumë sesa ndihmë mjekësore—është një akt konkret falënderimi për ata që kanë sakrifikuar gjymtyrët e tyre për lirinë e Kosovës. Ata nuk kanë humbur vetëm një pjesë të trupit, por kanë bërë sakrificën më të dhimbshme në ndjekje të idealit më të lartë: lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.

Kjo iniciativë është dëshmi e përkushtimit të palëkundur të Presidentes për të qëndruar pranë atyre që kanë dhënë gjithçka për shtetin tonë, duke e shndërruar kujdesin ndaj tyre në një prioritet kombëtar dhe moral.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë ndaj Qatar Fund dhe Gjysmëhënës së Kuqe të Katarit për këtë mbështetje të jashtëzakonshme, duke theksuar se kujdesi për invalidët e luftës është një detyrim moral, shtetëror dhe njerëzor.

Ky bashkëpunim po ashtu forcon marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Katarit, duke dëshmuar se solidariteti ndërkombëtar, i mbështetur nga udhëheqja e Presidentes, mund të sjellë ndryshime të prekshme dhe dinjitoze në jetën e atyre që mbrojtën lirinë me sakrificën më të lartë”, njoftoi zyra e presidentes Osmani.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi