Me “autobusin muze” dhe atelienë artizanja promovon veshjet tradicionale shqiptare

Edlira Sulaj, 53-vjeçe, është një artizane dhe kostumografe e veçantë nga Tirana, që ka shndërruar një autobus në muze lëvizës, ku prezantohen veshjet tradicionale shqiptare, por edhe objekte të ndryshme të kulturës, historisë dhe traditës shqiptare

Në Shqipëri artizanët vazhdojnë të ruajnë traditën dhe të ushtrojnë profesionin e tyre të prodhimit të veshjeve tradicionale shqiptare, që përdoren në funksione të ndryshme si për ceremoni, dasma, ngjarje kulturore, si dhe për turizëm e ekspozime.

Edlira Sulaj, 53-vjeçe, është një artizane dhe kostumografe e veçantë nga Tirana, e cila ka shndërruar një autobus në një muze lëvizës, ku prezantohen veshjet tradicionale shqiptare, por edhe objekte të ndryshme të kulturës, historisë dhe traditës shqiptare.Shumicën e kohës Edlira e kalon në atelienë e saj në Tiranë, duke punuar për dizajnimin dhe riprodhimin e veshjeve tradicionale me dorë, ndërkohë në mini-muzeun e ideuar dhe krijuar nga vet ajo, ajo gjithashtu kujdeset për veshjet, porositë nga qytete dhe vende të ndryshme, por edhe për vizitorët dhe përfaqësues të institucioneve.

 

Në një prononcim për Anadolu, Sulaj tregon se ka mbi 20 vite që merret me riprodhimin e veshjeve të traditës shqiptare dhe se përgatit veshje tradicionale të të gjitha trevave shqiptare, si për meshkuj ashtu edhe për femra.

Idenë për muzeun lëvizës e ka marrë gjatë vizitës në Pazarin e Madh në Istanbul

Idenë për krijimi e këtij muzeu lëvizës, Sulaj e ka marrë gjatë një vizite në Türkiye, duke e konkretizuar para 3 vitesh dhe duke e kthyer edhe në një atraksion për turistët e huaj dhe vizitorët vendas në kryeqytetin e Shqipërisë.

Sulaj shprehet se Türkiye është vendi kryesor ku ajo orientohet dhe shikon se si funksionon artizanati dhe mënyra sesi trajtohet artizanati.

“Unë e vizitoj shpesh Türkiyen për arsye të mia të punës. Gjithmonë atje kam parë që artizanati është një hap para nga e gjithë Evropa dhe jam ndikuar shumë. Idenë që kemi ndërtuar këtë muze lëvizës e kam marrë nga një muze të artizanatit që kam parë në Grand Bazaar (Kapalıçarşı) në Istanbul, ku prezantoheshin produkte artizanale nga e gjithë Türkiye dhe tregohej se ku këto produkte prodhoheshin”, tregon ajo.

Autobusi muze zakonisht qëndron në një nga zonat e frekuentuara të Tiranës, në pedonalen e qytetit, por ka “shëtitur” edhe në qytete të ndryshme përveç kryeqytetit si në Vlorë, Sarandë, Berat dhe Krujë, ndërsa Sulaj synon të vazhdojë itinerarin edhe në qytete të tjera.”Ky mini-muze lëvizës është shumë i vogël për të pasur gjithë trashëgiminë kulturore shqiptare. Ne jemi munduar që brenda këtij të kemi dhe veshje të vjetra mbi 100 vjeçare dhe veshje të rindërtuara për të treguar që akoma këto mjeshtëri të qindra viteve më parë kanë udhëtuar brez pas brezi te ne dhe jetojnë edhe në ditët e sotme. Kjo është vlera më e madhe që ne kemi, sepse veshje të vjetra kanë shumë vende të botës, por mundësinë për t’i rindërtuar origjinal siç janë ato të vjetrat i kanë shumë pak vende”, shprehet Sulaj.

 

Hyrja në “autobusin muze” është falas dhe të gjithë të interesuarit dhe pasionuarit pas traditës shqiptare mund të porosisin veshje tradicionale, të blejnë veshjet dhe produktet e tjera artizanale, që zakonisht janë për përdorim vetjak, dhurata, aktivitete të ndryshme apo edhe për ekspozime.

Artizania Sulaj shprehet se ideja për një muzeu lëvizës ka qenë me qëllim për t’i dhënë veshjes tradicionale multifunksion, se si mund të përdoren më mirë në turizëm dhe si mund t’iu ofrojnë turistëve shërbime kulturore të veçanta që nuk do t’i gjenin në vende të tjera.

Krahas prezantimit të trashëgimisë kulturore, Sulaj tregon se qëllimi ka qenë që të ndërgjegjësojnë të rinjtë shqiptarë që të mendojnë dhe ata çfarë mund të bëjnë diçka të bukur për “këtë trashëgimi kaq të bukur dhe për ta ruajtur atë”.

Gjithashtu Sulaj tregon se muzeun e saj lëviz dëshiron ta promovojë edhe në shtete të tjera fqinje me Shqipërisë dhe më gjerë në Ballkan.

“Në vendet e Ballkanit, do donim të lëviznim për faktin se është vërtet një trashëgimi e bukur e lëvizshme, duke filluar nga Kosova, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Türkiye, Greqia, Serbia dhe të tjerë. Në këto vende do doja të prezantoja trashëgiminë kulturore shqiptare”, tha ajo.

Përgatitja dhe prezantimi i veshjeve tradicionale realizohet në atelienë e saj

Në një atelie të madhe në kryeqytet, Sulaj punon veshjet tradicionale, ndërsa ka kthyer vendin e saj të punës edhe në një hapësirë ekspozimi dhe promovimi për punimet artizanale, ku spikasin kostumet e krahinave të ndryshme shqiptare për të rritur dhe për fëmijë, ku punohen mbi 120 lloje veshjesh dhe secila prej tyre identifikohet me mënyrën se si është ndërtuar.

“Unë jam munduar gjithmonë që veshja tradicionale të ruaj në rindërtim dhe riprodhim të gjithë funksionet e saj si statusin social, krahinor dhe ekonomik. Plus asaj që të shprehësh artizanatin duke ruajtur trashëgiminë jo-materiale të vendit tënd ka dhe një përgjegjësi që duhet të ruash të gjithë elementët identifikues të asaj veshjeje. Unë e bëj gjithmonë me dëshirën më të madhe dhe përgjegjësinë më të madhe”, shprehet ajo.

 

Sulaj thekson se në atelienë e saj ajo përfundon procesin e punës për veshjet tradicionale dhe se bashkëpunon edhe me artizanë dhe mjeshtër të tjerë, me qëllim që të minimizohet koha e përgatitjes së veshjeve që kalon në disa procese.

 

“Jemi munduar gjithmonë që me veshjet të ruajmë çdo teknikë artizanale dhe çdo pjesë identifikuese të zonës. Në fakt të ruash me përpikëri teknikat artizanale është vërtet një vështirësi e madhe, por me kalimin e kohës ne tani nuk e quajmë më vështirësi”, tregon ajo.

Në mesin e shumë veshjeve të krahinave shqiptare në atelienë e saj, por edhe në muzeun shëtitës, spikat xhubleta shqiptare, që është një veshje karakteristike me histori disa mijëra vjeçare, prej shajaku të zi, të trashë e të fortë, me mes të ngushtë e me fund të gjerë, që e vishnin gratë e zonave të alpeve shqiptare.

Xhubleta, që përdorej nga gratë në disa zona të veriut të Shqipërisë dhe përgatitja e saj është pranuar në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e Organizatës të Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO).

“Xhubleta është një labirint më vete në të cilin ndërtohet dhe formohet, puna, qëndisjet dhe shumë gjëra të tjera”, tregon Sulaj rreth riprodhimit të kësaj veshjeje karakteristike shqiptare.

Ajo tregon se secili qytet ka veçantinë dhe bukurinë e tij sa i përket veshjeve tradicionale dhe shton se nga veshjet e jugut më shumë spikasin ato të Gjirokastrës, Vlorës, Korçës dhe Përmetit dhe nga veriu i Shkodrës dhe Hasit, për të vazhduar pastaj me të Shqipërisë së Mesme, si të Tiranës, Elbasanit dhe qyteteve të tjera.

Në realizimin dhe vazhdimin e nismës së saj, ajo gjithashtu ka pasur mbështetjen e institucioneve shqiptare, si të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe ministrive të tjera, si dhe të Bashkisë së Tiranës dhe disa bashkive të tjera në vend.

Kategoritë
LajmeRajoni