Mburrja kriminale e ministrit izraelit: “Të burgosurit na hyjnë të shëndoshë, ndërsa dalin të dobët; ua kam hequr ushqimin”

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i njohur për qëndrimet e tij ekstremisht të djathta dhe radikale, ka tronditur sërish opinionin botëror me deklarata frikësuese. Gjatë një paraqitjeje televizive, Ben-Gvir u mburr hapur me trajtimin çnjerëzor dhe uritjen e të burgosurve palestinezë, duke thënë se “në burg hyjnë të shëndoshë, ndërsa dalin të dobët”.

Duke qenë i ftuar në një emision televiziv izraelit, ministri përgjegjës për aparatin e sigurisë dhe sistemin e burgjeve bëri një sërë komentesh që kufizohen me pranimin e hapur të shkeljes së të drejtave themelore të njeriut. Duke folur për të burgosurit palestinezë, të cilët i etiketon tërësisht si “terroristë” dhe “mbështetës të terrorizmit”, Ben-Gvir theksoi me krenari se ai personalisht ka merita për përkeqësimin drastik të kushteve në të cilat ata mbahen.

“Netanyahu dhe të tjerët donin që unë t’u shpërndaja sanduiçë këtyre terroristëve dhe mbështetësve të terrorizmit. T’u flisja se sa i bukur është Izraeli. Kjo ka marrë fund. Unë nuk jam naiv”, e nisi Ben-Gvir monologun e tij skandaloz.

Më pas, me gjakftohtësi dhe me një dozë krenarie morbide, ai përshkroi në detaje se si ua kishte hequr të burgosurve gjërat bazike dhe çdo formë rekreacioni.

“Ua hoqa marmelatat, çokollatat, mishin e qengjit, ping-pongun, televizorët dhe radion. Dikur dilnin të shëndoshë. Sot hyjnë të shëndoshë, ndërsa dalin të dobët. Kështu duhet të dalin terroristët”, tha ministri izraelit, pa e fshehur aspak kënaqësinë për politikën e uritjes që po zbaton.

Kur moderatorja e pyeti pse nga veprime të tilla po bën spektakël mediatik dhe pse po i bën të gjitha këto para kamerave, Ben-Gvir u përgjigj në mënyrë populiste: “Që i gjithë bota ta dijë se ne nuk jemi naivë dhe se Izraeli nuk lëshon pe”.

Megjithëse moderatorja, me komente ironike, u përpoq të tregonte absurditetin e mburrjes së tij, duke nënkuptuar se shfaqjet e tij mediatike në fakt nuk kontribuojnë aspak në sigurinë e ushtarëve izraelitë në terren, ministri ekstrem vazhdoi me retorikën e tij. Ai pretendoi se ushtarët dhe të plagosurit izraelitë i afrohen për ta falënderuar me fjalët: “Faleminderit që na ruan shpinën dhe që na përqafon”.

Në fund të emisionit, moderatorja tentoi ta ndërpriste narrativën e tij me një koment sarkastik, duke thënë se në emision kishin dëgjuar shumë “për marmelata, pite dhe çokollata, por jo për gjërat e vërteta”. Ben-Gvir, në vend të ndonjë argumenti politik apo sigurie, përsëriti edhe një herë parullën e tij të tmerrshme:

“E thashë: Hyjnë të shëndoshë, ndërsa dalin të dobët. Terroristë të dobët. Kështu duhet të flasim.”

Deklarata të tilla, në të cilat një zyrtar i lartë shtetëror mburret hapur dhe para kamerave me mohimin e ushqimit të mjaftueshëm dhe me uritjen e qëllimshme të të burgosurve, përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventave të Gjenevës.

Organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut prej muajsh paralajmërojnë për kushtet katastrofale dhe çnjerëzore në burgjet izraelite, ku mbahen mijëra palestinezë, shumë prej të cilëve janë të ndaluar në të ashtuquajturin “paraburgim administrativ”, pa aktakuzë dhe pa gjykim.

Dalja e Ben-Gvirit nuk është thjesht një mburrje e një politikani radikal, por një dëshmi e drejtpërdrejtë e mizorisë së institucionalizuar dhe e politikës së ndëshkimit kolektiv, me të cilën nivelet më të larta të pushtetit aktual izraelit krenohen pa asnjë turp.

Kategoritë
BotaLajme