Mbreti suedez mbi qasjen ndaj COVID-19: Ne dështuam, kemi shumë të vdekur

Mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf, e ka përshkruar vitin 2020 si një vit “të tmerrshëm” dhe thotë se strategjia kombëtare e coronavirusit ka dështuar.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, ai i bëri deklaratat e tij si pjesë e një programi vjetor televiziv përmes së cilit bën një “përshkrim” të vitit me familjen mbretërore.

Suedia është kritikuar për qasjen e saj në trajtimin e pandemisë, duke u mbështetur më shumë në udhëzime dhe duke mos imponuar kurrë një bllokim të plotë.

Ndryshe, vendi ka parë gati 350,000 raste dhe më shumë se 7,800 vdekje.

“Mendoj se kemi dështuar. Kemi një numër të madh që kanë vdekur dhe kjo është e tmerrshme”, thotë mbreti në program.

“Njerëzit e Suedisë kanë vuajtur jashtëzakonisht në kushte të vështira… Unë mendoj se është një përvojë e vështirë dhe traumatike të mos jesh në gjendje tu thuash një mirupafshim familjarëve”.

Suedia nuk ka vendosur kurrë bllokim mbarëkombëtar ose mbajtjen e maskave dhe baret dhe restorantet kanë mbetur të hapura.

Sidoqoftë, në fillim të kësaj jave, shkollave në të gjithë rajonin e Stokholmit u kërkua që të kalonin në mësimin në distancë për fëmijët nga 13 deri në 15 vjeç për herë të parë. Masa u njoftua në përgjigje të rasteve në rritje të COVID-19.

Kjo erdhi një javë pas një vendimi mbarëkombëtar më 7 dhjetor për të kaluar në mësimin në distancë për ata mbi 16 vjeç.

Dhe të hënën, rekomandimet e reja të distancës sociale në mbarë vendin për periudhën e Krishtlindjes hynë në fuqi, duke zëvendësuar udhëzime të ngjashme specifike për rajonet.

Suedezët këshillohen të takojnë maksimumi tetë persona, të mblidhen jashtë nëse është e mundur dhe të shmangin udhëtimet me tren ose autobus.

Një ndalim zyrtar i tubimeve publike të më shumë se tetë persona mbetet në fuqi, duke ndikuar në ngjarje të tilla si koncerte, ndeshje sportive dhe demonstrata.

Kategoritë
BotaLajme