Mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar, gjatë një vizite zyrtare në Kanada, mbajti një “fjalim nga froni” në parlamentin kanadez, duke shënuar kështu një ngjarje të rrallë që nuk kishte ndodhur që nga viti 1977.
Pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, Mbreti Charles, për herë të parë që nga kurorëzimi i tij, vizitoi Kanadanë. Ai u shoqërua nga bashkëshortja e tij, Mbretëresha Camilla.
Me rastin e hapjes së sesionit të 45-të legjislativ të Parlamentit të Kanadasë, Charles mbajti një fjalim solemn, duke u ulur së bashku me Camilla në fronin e rezervuar për Mbretin dhe Mbretëreshën, për shkak të statusit të tij si monark i Commonwealth-it, pra edhe si Mbret i Kanadasë.
FJALIM NGA FRONI
Në këtë fjalim tradicional, të quajtur “fjalimi nga froni”, Mbreti Charles theksoi se Kanadaja ka ndryshuar shumë që nga fjalimet e mëparshme të Mbretëreshës Elizabeth II në vitet 1957 dhe 1977.
Duke folur në anglisht dhe frëngjisht, ai theksoi se Kanadaja është sot një vend plotësisht i pavarur, multikulturor dhe me një identitet të vetin, i ndërtuar mbi rrënjët e popujve anglishtfolës, frëngjishtfolës dhe autoktonë.
“KANADAJA PËRBALLET ME SFIDA TË PAPARË GJATË JETËS SONË”
Në fjalimin e tij – që njëherazi përbënte edhe një përgjigje simbolike ndaj deklaratave të ish-presidentit amerikan Donald Trump për të bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-së – Charles theksoi mbështetjen për sovranitetin e Kanadasë dhe rolin e saj në Commonwealth.
Ai tha:
“Kanadaja po përballet me disa nga sfidat më të mëdha që kemi parë gjatë jetës sonë. Shumë kanadezë janë të shqetësuar për këtë situatë. Por kjo periudhë njëherazi paraqet edhe një mundësi të jashtëzakonshme – një mundësi për rinovim, për të menduar më gjerë dhe për të ndërmarrë hapa më të guximshëm.”
Duke iu drejtuar anëtarëve të Senatit dhe Dhomës së Ulët, Mbreti theksoi:
“Kjo është një mundësi që Kanadaja të nisë transformimin më të madh ekonomik që nga Lufta e Dytë Botërore.”
Ai shtoi se Kanadaja mund të ndërtojë aleanca të reja dhe një ekonomi të re duke qëndruar besnike ndaj vlerave të saj.
PËR HERË TË FUNDIT, MBRETËRESHA ELIZABETH KA FOLUR MË 1977
Kjo ishte vizita e 20-të e Charles në Kanada që nga koha kur ishte princ, por hera e parë që ai mbajti një fjalim si mbret.
Herën e fundit që një monark i Britanisë mbajti “fjalimin nga froni” në parlamentin kanadez ishte në vitin 1977, kur Mbretëresha Elizabeth II iu drejtua deputetëve.
ÇFARË ËSHTË FJALIMI NGA FRONI?
Mbreti Charles është monark jo vetëm i Mbretërisë së Bashkuar, por edhe i 14 vendeve të tjera anëtare të Commonwealth-it, përfshirë Kanadanë, Australinë, Zelandën e Re dhe disa vende në Karaibe.
Kur fillon një legjislaturë e re në Kanada, bëhet një “fjalim nga froni” që paraqet prioritetet dhe politikat e qeverisë. Pa këtë fjalim, të dyja dhomat e parlamentit – Senati dhe Dhoma e Ulët – nuk mund të fillojnë punën.
Zakonisht këtë fjalim e mban Guvernatori i Përgjithshëm, përfaqësuesi më i lartë i Mbretit në Kanada. Por kësaj here, me ftesë të kryeministrit të ri Mark Carney, fjalimi u mbajt vetë nga Mbreti Charles.