28 palestinezë që prisnin të merrnin ndihmë humanitare u vranë nga zjarri i ushtrisë izraelite në Gazën qendrore dhe jugore të enjten herët, thonë burimet mjekësore
Të paktën 63 palestinezë u vranë në një valë të re sulmesh ajrore vdekjeprurëse izraelite në Rripin e Gazës të enjten, ndërsa Izraeli ka përshkallëzuar luftën e tij gjenocidale ndaj civilëve në enklavë, transmeton Anadolu.
Agjencia zyrtare e lajmeve “Wafa”, duke cituar burime mjekësore, tha se 28 palestinezë që prisnin të merrnin ndihmë humanitare u vranë nga zjarri i ushtrisë izraelite në Gazën qendrore dhe jugore të enjten herët.
Avionët luftarakë izraelitë bombarduan gjithashtu shkollën “Mustafa Hafez” në perëndim të qytetit të Gazës, ku qindra civilë të zhvendosur janë strehuar, duke lënë 13 persona të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, tha “Wafa”.
Në qytetin qendror Beit Lahia, tre persona u vranë në granatimet me artileri që shënjestruan një grumbullim civilësh, thanë mjekët. Tre persona të tjerë, përfshirë një grua, u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ndaj tendave për familjet e zhvendosura në zonën Al-Mawasi të Khan Younisit në Gazën jugore.
Një palestinez tjetër u vra dhe tre të tjerë u plagosën në një sulm tjetër izraelit pranë një qendre kujdesi në Jabalia në Gazën veriore. Megjithatë, “Wafa” nuk specifikoi se ku u vranë viktimat e tjera.
Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka zhvilluar një luftë gjenocidale në Gaza, duke vrarë më shumë se 57.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, që nga tetori i vitit 2023.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavën palestineze.