Mbi 300 figura të famshme përfshirë Dua Lipën i bëjnë thirrje qeverisë britanike t’i japë fund bashkëfajësisë në Gaza

Në letër tërhiqet vëmendja se më shumë se 71 mijë fëmijë nën moshën 4-vjeç në Gaza janë të kequshqyer. “Fëmijët qajnë derisa nuk mund të qajnë më, derisa zëri i tyre të ngjiret nga uria”, thuhet më tej

Më shumë se 300 figura të famshme, përfshirë këngëtaren Dua Lipa, aktoren Benedict Cumberbatch, ish-futbollistin dhe komentatorin televiziv Gary Lineker dhe këngëtaren Annie Lennox, i kanë bërë thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që t’i “japë fund bashkëfajësisë britanike në Gaza”, transmeton Anadolu.

Kanali televiziv britanik “Sky News” ndau një letër të nënshkruar nga më shumë se 300 figura të famshme, të shkruar nga organizata e solidaritetit për refugjatët “Choose Love”, drejtuar kryeministrit britanik, Keir Starmer.

Personalitetet e njohura i bënë thirrje qeverisë së Starmerit që t’i japë fund shitjes së armëve Izraelit ndërsa kërkuan që organizatat humanitare me përvojë të lejohen të hyjnë në Rripin e Gazës dhe që qeveria të ndërmjetësojë një armëpushim në enklavën palestineze.

“Ju bëjmë thirrje të ndërmerrni veprime të menjëhershme për t’i dhënë fund bashkëfajësisë britanike në mizoritë në Gaza”, thuhet në letrën në të cilën vihet theksi se fëmijët në Gaza për shkak të bllokadës 11-javore izraelite po vdesin nga uria sepse nuk mund të arrijnë furnizimet me ndihmë që janë vetëm pak minuta larg.

Izraeli përdor armë dhe municione të blera nga Britania e Madhe, bëhet e ditur në letrën ku më tej thuhet se “(Fëmijët e Gazës) zgjohen me bombat që bien mbi ta pasi fluturojnë me pjesë të dërguara në Izrael nga fabrikat britanike, të vulosura nga mosveprimi i Britanisë”.

Në letër tërhiqet vëmendja se më shumë se 71 mijë fëmijë nën moshën 4-vjeç në Gaza janë të kequshqyer. “Fëmijët qajnë derisa nuk mund të qajnë më, derisa zëri i tyre të ngjiret nga uria”, thuhet më tej.

Në letër reagohet ndaj kryeministrit Starmer dhe ndaj tij drejtohet pyetja: “Nuk mundesh edhe të qëndrosh duke mos bërë asgjë edhe ta përshkruash atë që po ndodh si ‘të papranueshme’. E gjithë bota po të shikon. Historia nuk do të falë. Fëmijët e Gazës nuk kanë asnjë sekondë për të pritur. Kryeministër, çfarë do të zgjedhësh? Të përfshihesh në krimet e luftës apo të tregosh guximin për të ndërmarrë veprime?”.

Nënshkruesit e letrës përfshijnë këngëtaret Dua Lipa, Annie Lenox, Paloma Faith, grupin muzikor Massive Attack, Primal Scream, aktorët Benedict Cumberbatch, Lena Headey, Tilda Swinton, Zawe Ashton, ish-futbollistin dhe komentatorin televiziv Gary Lineker, komedianin Amelia Dimoldenberg, modelen Munroe Bergdorf, piktoren Tracey Kerime Emin dhe të mbijetuarin e Holokaustit Stephen Kapos.

Kategoritë
BotaLajme