Marrëveshje miliardëshe: Vitet më të mira i kaloi në burg amerikan, tani Damasku i ofron Trumpit një ofertë

Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë pas një oferte që ka ardhur nga Damasku, në këmbim të së cilës do të fitonte qasje mbi burimet natyrore të vendit dhe leje për të ndërtuar një Trump Tower në qendër të kryeqytetit sirian.

Sipas të përditshmes The Times, Siria është frymëzuar nga “modeli ukrainas”.

Lideri i ri sirian, Ahmad al-Sharaa, madje ka tentuar të takohet me Trumpin gjatë vizitës së tij në Riad. Por, sipas The Times, Shtëpia e Bardhë refuzoi takimin të hënën mbrëma, duke marrë parasysh të kaluarën e Al-Sharaas si ish-anëtar i Al-Kaidës dhe ish-i burgosur për pesë vjet në qendrat e ndalimit amerikane, përfshirë burgun famëkeq Abu Ghraib.

Siria më herët ka ofruar lëshime ekonomike për Shtetet e Bashkuara, sidomos mundësinë që kompanitë amerikane të zhvillojnë pasuritë minerare siriane. Al-Sharaa gjithashtu ka paralajmëruar se Trump Tower mund të ndërtohet në zemër të Damaskut.

Në këmbim, Siria pret heqjen e sanksioneve amerikane, të vendosura që nga koha e regjimit të rrëzuar të Bashar al-Assad.

Në lojë është edhe mundësia që Siria t’i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit – një seri marrëveshjesh për normalizimin e marrëdhënieve midis shteteve arabe dhe Izraelit, të cilat janë nënshkruar tashmë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni. Për Uashingtonin është gjithashtu me rëndësi që Siria të pranojë praninë e ushtarëve izraelitë në jugperëndim të vendit, në një zonë tampon pranë Lartësive Golan, të pushtuara nga Izraeli në vitin 1967.

Megjithatë, për një president si Trump, që preferon marrëveshjet tregtare mbi luftërat, prioritet janë kontratat miliardëshe që planifikon të shpallë gjatë turneut të tij në Lindjen e Mesme.

Sipas The Times, ndër marrëveshjet e mundshme përfshihet edhe një kontratë telekomunikacioni me kompaninë amerikane AT&T për Sirinë. Administrata e Trumpit po ashtu është e interesuar për projekte të tjera infrastrukturore në vend. Ekziston frika se Damasku, në procesin e rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta civile shumëvjeçare, mund t’i drejtohet Pekinit për ndihmë.

“Al-Sharaa po hedh sytë nga Lindja, drejt Kinës. Ne, natyrisht, duam ta kthejmë atë drejt Perëndimit”, ka deklaruar një burim pranë The Times. Anëtarë të administratës Trump, me mbështetje nga vendet e Gjirit Persik, theksojnë mundësinë që Siria të shkëputet nga ndikimi iranian, që më parë mbështeste regjimin e Assadit.

Sipas një burimi të mirëinformuar, shtetet e Gjirit po e mbështesin idenë e Trumpit për zbatimin e një “modeli ukrainas” në Siri – marrëveshje mbi burimet natyrore. Zbatimi i këtij plani po drejtohet nga Steve Witkoff, i dërguari special amerikan për Lindjen e Mesme, i cili mban rregullisht negociata edhe në Rusi.

“Në Gjirin Persik dhe Moskë e pëlqejnë, sepse nuk flet për politikë, por për investime dhe pasuri të paluajtshme,” ka thënë burimi. “Në botën e politikës, për një fjali duhen vite. Në botën e biznesit, gjithçka shkon rrjedhshëm,” ka shtuar ai.

Kategoritë
BotaLajme