Marihuanë në karamelet Haribo në Holandë, paketimet tërhiqen nga tregu

Autoriteti holandez për sigurinë ushqimore dhe të produkteve për konsumatorë (NVWA) ka njoftuar se në mostrat e disa karameleve Haribo është zbuluar praninë e marihuanës.

Zbulimi erdhi pasi disa anëtarë të një familjeje nuk u ndjenë mirë pasi konsumuan karamelet dhe e raportuan rastin në polici. Deri tani janë identifikuar dhe tërhequr nga tregu tre paketime, ndërsa Haribo, për arsye sigurie, ka vendosur të tërheqë të gjithë lotin e dyshuar.

NVWA bëri të ditur se është përfshirë në hetime.

“Mostrat u morën dhe në to u gjet kanabis. Ne menjëherë kontaktuam kompaninë Haribo dhe ata lëshuan një paralajmërim sigurie”, deklaroi zëdhënësi i NVWA-së për televizionin Hart van Nederland.

Ende nuk dihet madhësia e saktë e sasisë së kontaminuar dhe nuk është e qartë se si lënda narkotike ka përfunduar në karamele.

Haribo i ka bërë thirrje konsumatorëve të mos konsumojnë produktin Happy Cola F!ZZ me kod prodhimi L341-4002307906 dhe afat përdorimi deri në janar 2026. Konsumatorëve u kërkohet që të mos e kthejnë produktin në dyqan, por ta dërgojnë direkt te kompania Haribo për rimbursim.

Sipas Haribo-s, paketimet me kode të tjera prodhimi mund të konsumohen pa problem. E njëjta gjë vlen edhe për produktet e tjera të kompanisë.

Kategoritë
BotaLajme