Maqedonci takon ministren e mbrojtjes të Luksemburgut: Presim mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në KE

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur sot Ministren e Mbrojtjes të Luksemburgut, Yuriko Backes, në një takim ku janë diskutuar mundësitë e reja të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, veçanërisht në fushat ku Kosova ka nevojë për mbështetje, raporton Gazeta Sinjali.

Ministri Maqedonci ka shprehur mirënjohjen për investimet e vazhdueshme të Luksemburgut në Kosovë përmes projekteve zhvillimore, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Po ashtu, ai ka falënderuar Luksemburgun për kontributin e trupave të tij që shërbejnë në Kontigjentin e Beneluksit në kuadër të KFOR-it, duke theksuar rëndësinë e kësaj mbështetjeje në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Jemi të gatshëm që bashkëpunimin me Luksemburgun në fushën e mbrojtjes ta thellojmë, derisa presim mbështetje për integrimin euroatlantik të vendit, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.”, thuhet tutje në postimin e tij.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi