Mali i Zi rrit moshën e pensionit në 67 vjeç

Në shtetin fqinj Mali i Zi, që nga 24 prilli kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Ligjin e Punës, me të cilat mosha për pensionim sipas ligjit rritet nga 66 në 67 vjeç. Kjo masë, që ndikon drejtpërdrejt në tregun e punës në rajon, ka shkaktuar polemika të ashpra mes pushtetit dhe opozitës.

Deputeti i Partisë Boshnjake, Mirsad Nurković, deklaroi se ky ndryshim është bërë për t’iu përgjigjur kërkesave të sindikatave dhe nevojave të tregut të punës. Ai theksoi se Ligji i Punës zbatohet për sektorin privat dhe institucionet publike, përveç administratës publike, dhe se kjo masë kontribuon edhe në plotësimin e mungesës së mjekëve në spitale dhe qendra shëndetësore.

Nga ana tjetër, opozita e sheh këtë vendim ndryshe. Nikola Milović nga DPS deklaroi se rritja e pagave pa rritje të produktivitetit çon në inflacion dhe krijon disbalanca në funksionimin e Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore.

Sipas tij, problemi qëndron edhe te demografia dhe plakja e popullsisë. Ai theksoi se me rritjen e moshës mesatare, rriten edhe shpenzimet për shëndetësinë dhe thellohen deficitet në fondet publike, çka do të thotë se qytetarët do të detyrohen të punojnë më gjatë.

Ndërkohë, Ines Mrdović nga organizata “Aksioni për Drejtësi Sociale” vlerëson se këto ndryshime kanë më shumë karakter politik sesa ekonomik. Sipas saj, ndryshimi është bërë për të mundësuar që gjyqtarët të dalin në pension në moshën 67-vjeçare, duke sugjeruar se ky ishte interesi kryesor i qeverisë.

Ndryshimi i Ligjit të Punës, që parashikon përfundimin e marrëdhënies së punës në moshën 67 vjeç me të paktën 15 vite stazh, ka hyrë në fuqi të premten, më 24 prill.

Kategoritë
LajmeRajoni