Sateliti i parë malazez, i quajtur “Luča”, u lansua me sukses të dielën në orbitën e ulët të Tokës (LEO) me raketën Sojuz, nga kozmodromi Vostoçni, pranë kufirit mes Rusisë dhe Kinës.
Drejtori i organizatës Montenegro Space Research (MSR), Filip Joviçeviq, theksoi se ky zhvillim përbën një pikë kthese në historinë teknologjike dhe shkencore të Malit të Zi.
“Ky është vetëm fillimi. Qëllimi ynë i radhës është zhvillimi i raketës së parë malazeze, fillimisht suborbitale dhe më pas orbitale. Besoj se ekipi i mbledhur rreth MSR-së ka njohuritë, kapacitetet dhe vizionin për ta realizuar këtë, gjë që do të përfaqësonte hapin më të madh teknologjik në historinë e Malit të Zi”, deklaroi Joviçeviq.
Sateliti i parë malazez ka si mision kryesor matjen e rrezatimit kozmik, ndërsa është i pajisur gjithashtu me një kamerë që do të regjistrojë pamje nga një lartësi prej rreth 600 kilometrash, si dhe me sisteme telekomunikimi për transmetimin e të dhënave drejt Tokës.
“Luča” është një satelit i vogël, i vendosur si ngarkesë sekondare në raketën Sojuz, dhe simbolizon satelitin e parë kombëtar të Malit të Zi, i cili drejtohet nga vetë shteti në aspektin teknologjik, juridik dhe operacional. Ai është zhvilluar nga organizata Montenegro Space Research, një iniciativë jofitimprurëse që bashkon inxhinierë dhe shkencëtarë malazezë me qëllim zhvillimin e teknologjive hapësinore, edukimin e të rinjve dhe ndërtimin e një programi kombëtar hapësinor.
Joviçeviq shtoi gjithashtu se organizata do të vazhdojë të promovojë shkencën, teknologjinë dhe inxhinierinë në të gjitha grupmoshat, sepse vetëm përmes dijes Mali i Zi mund të ndërtojë breza inxhinierësh të gatshëm për zhvillimin e programit të ardhshëm hapësinor.














