Mali i Zi, Këshilli në Berane miraton propozimin që një rrugë të mbajë emrin e kriminelit Mlladiç

“Këshilli mori një numër të madh propozimesh nga institucione dhe individë dhe është e vërtetë që midis tyre kishte propozime që njëra nga rrugët të marrë emrin e gjeneralit Ratko Mlladiç”, tha Kikoviç.

Këshilli për propozimin e emrave të vendbanimeve, rrugëve dhe shesheve me shumicë votash miratoi propozimin që një rrugë në Berane të Malit të Zi, të mbajë emrin e kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiç, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Sërpska.

Ndërsa propozimi që njëra nga rrugët të mbajë emrin e Pavle Gjurishiçit nuk mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Këshillit.

Kryetari i Këshillit, Goran Kikoviç, tha se vendimi u mor nga organi këshillimor, i cili nuk ka të drejtën e vendosjes, por përcjell mendimin për propozimet te Sekretariati kompetent dhe se fjalën e fundit për caktimin e emrave të rrugëve ose riemërtimin e tyre e merr ministria kompetente.

“Këshilli mori një numër të madh propozimesh nga institucione dhe individë dhe është e vërtetë që midis tyre kishte propozime që njëra nga rrugët të marrë emrin e gjeneralit Ratko Mlladiç dhe ky propozim kaloi ndërsa propozimi që një rrugë të mbante emri i dukës Pavle Gjurishiç nuk u miratua, sepse 3 anëtarë votuan për këtë propozim, nga 7 sa morën pjesë në seancë”, tha Kikoviç.

Ai vlerësoi se në propozimin e mbështetur që një nga rrugët e Berane-s të quhet sipas Ratko Mlladiçit, por gjithashtu që propozimi që Pavle Gjurishiç të mos marrë shumicën, sipas mendimit të tij, “nuk ka asgjë për t’u çuditur”.

“Kjo vetëm tregon se sa i satanizuar është duka Gjurishiç, sepse për shembull propozimi që një nga rrugët të emërohet sipas dukës Momçillo Gjujiç mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Këshillit”, tha Kikoviç.

Kategoritë
LajmeRajoni