Presidenti francez Emmanuel Macron ka minimizuar rëndësinë e videos që qarkulloi në rrjet, ku duket se gruaja e tij, Brigitte, e shtyn në fytyrë pas mbërritjes së tyre në Hanoi, në kuadër të një vizite zyrtare në Vietnam.
Në pamjet e publikuara, Macron shihet duke dalë në derën e avionit menjëherë pas uljes në Hanoi, kur një dorë – që i përket një personi të veshur me të kuqe – e shtyn në fytyrë nga e djathta. Ai duket i befasuar, por më pas përshëndet me dorë dhe vazhdon rrugën. Pak sekonda më vonë, shfaqet edhe Brigitte Macron, e veshur me xhaketë të kuqe, dhe çifti zbret së bashku nga shkallët e avionit.
Duke folur për BFMTV, Macron u shpreh:
“Ngacmohem dhe bëj shaka me gruan time, dhe pastaj një video shndërrohet në një katastrofë gjeoplanetare. Në botën ku jetojmë, nuk kemi kohë për të humbur me tema të tilla.”
Ai mohoi çdo incident dhune dhe shtoi:
“Gjithë kjo është paksa qesharake.”
Macron ndodhet në Vietnam në kuadër të një turneu në Azinë Juglindore, ku pritet të vizitojë gjithashtu Indonezinë dhe Singaporin.