Gjatë vizitës së tij në Singapor presidenti francez, Macron tha se “njohja e shtetit të Palestinës është detyrë morale dhe një domosdoshmëri politike”
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron deklaroi se njohja e shtetit të Palestinës është detyrë morale, transmeton Anadolu.
Gjatë vizitës së tij në Singapor presidenti francez tha se “njohja e shtetit të Palestinës është detyrë morale dhe një domosdoshmëri politike”, ndërsa foli për kushtet që ai pret të përmbushen që kjo njohje të realizohet.
Në këtë kontekst, Macron shpjegoi kushte të tilla si njohja e Izraelit nga shteti i Palestinës dhe e drejta e këtij vendi për të jetuar në siguri, çarmatosja e Hamasit, mospërfshirja e Hamasit në administratën palestineze dhe lirimi i pengjeve.
“Nëse Izraeli nuk ofron zgjidhje të përshtatshme për situatën humanitare në Rripin e Gazës në orët dhe ditët në vijim, duhet të merret një qëndrim i përbashkët më i ashpër kundër këtij vendi”, tha Macron.
Ai theksoi se në një rast të tillë, Bashkimi Evropian (BE) do të duhet të zbatojë rregullat e veta, të përfundojë proceset që e konsiderojnë respektimin e të drejtave të njeriut si parakusht dhe të vendosë sanksione.
“Ne duhet të mbajmë qëndrim më të ashpër sepse sot është një domosdoshmëri. Por, unë kam shpresë se Izraeli do të ndryshojë qëndrimin e tij dhe se në fund do të ketë zgjidhje humanitare”, tha Macron.