Macron ndez tensionet në Izrael, akuzohet për “kryqëzatë kundër shtetit hebre” pas thirrjes për njohjen e shtetit palestinez

Pas thirrjeve të presidentit francez Emmanuel Macron për njohje të shtetit palestinez dhe për një qasje më të ashpër nga Europa kundër Izraelit, ka ardhur edhe një reagim i ashpër nga Izraeli.

Sipas The Times of Israel, ministria e Jashtme izraelite e ka akuzuar Macronin për nisjen e një “kryqëzate kundër shtetit hebre”.

Referenca ndaj “kryqëzatës” është një akuzë e rëndë historike, duke qenë se kalorësit francezë dhe liderët fetarë luajtën një rol kyç në luftërat fetare të mesjetës të nisura nga të krishterët europianë për të “çliruar Tokën e Shenjtë” nga myslimanët.

The Times of Israel shkruan se, “gjatë kësaj periudhe, hebrenjtë në Francë, territoret gjermanofolëse dhe në vetë Tokën e Shenjtë u bënë objekt i dhunës ekstreme nga kryqtarët, ndërsa ngjarjet përkujtohen ende nga hebrenjtë përmes poezive të dhimbshme që recitohen në ditën e zisë Tisha B’Av”.

Sipas raportimit, në deklaratën e ministrisë së Jashtme izraelite thuhet se, “faktet nuk e shqetësojën Macronin. Nuk ka asnjë bllokadë humanitare. Kjo është një gënjeshtër e hapur. Izraeli po lehtëson aktualisht hyrjen e ndihmave në Gaza përmes dy kanalesh të koordinuara.”

Tutje në deklaratë është thënë se: “Në vend që të ushtrojë presion ndaj terroristëve xhihadistë, Macron dëshiron t’i shpërblejë ata me një shtet palestinez.”

Kujtojmë se më herët gjatë ditës, Macron kishte deklaruar se njohja e një shteti palestinez, në mënyrë të kushtëzuar, është “jo vetëm një detyrim moral, por edhe një domosdoshmëri politike”.

Ndërkohë, dihet se Franca po shqyrton mundësinë e njohjes së shtetit palestinez përpara një konference ndërkombëtare që do të mbahet nga 17 deri më 20 qershor, të bashkë-organizuar nga Parisi dhe Arabia Saudite, për të vendosur parametrat e një rruge drejt krijimit të shtetit palestinez, duke garantuar njëkohësisht sigurinë e Izraelit.

Kategoritë
BotaLajme