Macron: G7 do të bëjë gjithçka për të siguruar zbatimin e marrëveshjes SHBA-Iran dhe rihapjen e Hormuzit

“Ne do të bëjmë gjithçka, për të siguruar që kjo marrëveshje të bëhet realitet dhe për këtë arsye që Hormuzi të mund të rihapet në mënyrë paqësore dhe që trafiku të rifillojë”, tha Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha sot se vendet e G7 do të bëjnë gjithçka që munden për të siguruar që marrëveshja e sapo shpallur SHBA-Iran të zbatohet dhe Ngushtica e Hormuzit të rihapet, transmeton Anadolu.

“Ne do të bëjmë gjithçka, para së gjithash, për të siguruar që kjo marrëveshje të bëhet realitet dhe për këtë arsye që Hormuzi të mund të rihapet në mënyrë paqësore dhe që trafiku të rifillojë”, tha Macron në transmetuesin TF1, ndërsa liderët botërorë po mbërrijnë në Evian të Francës për një samit tre-ditor të grupit G7.

Duke përshëndetur marrëveshjen e arritur pas konfliktit disamujor në rajon, ai ripërtëri thirrjen se duhet bërë gjithçka për zbatimin e saj. “Pra, ne kemi ndërtuar, së bashku me britanikët, një mision; ne jemi në terren, ka disa kombe në terren si holandezët, italianët, britanikët. Ne jemi gati të veprojmë shumë shpejt: të dërgojmë avionë, të dërgojmë një fregatë, të dërgojmë ekipe të pastrimit të minave”, theksoi Macron.

Ai konfirmoi se aeroplanmbajtësja franceze “Charles de Gaulle” gjithashtu mund të vendoset brenda dy deri në tre ditë pas konfirmimit. “Pra, ajo që do të bëjmë me amerikanët, paralelisht me iranianët, është të sigurojmë këtë dislokim në mënyrë që rihapja e Hormuzit të ndodhë në mënyrë paqësore dhe të zgjasë”, shtoi ai.

Macron ripohoi organizimin e tyre për të reaguar shumë shpejt sapo të ketë një marrëveshje nga të gjitha palët e interesuara, duke nënvizuar se Omani tashmë u ka thënë atyre se janë dakord me shoqërimin.

“Nëse ditët në vijim tregojnë se kjo po funksionon, ne do të vendosemi së bashku me britanikët. Ne do ta udhëheqim këtë mision. Dhe siç thashë, francezët mund të jenë krenarë sepse forcat e tyre të armatosura do të jenë në gjendje, në orët e ardhshme, të marrin pjesë në këtë stabilizim”, tha ai.

Macron kundërshtoi një tarifë të mundshme në Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se kjo do të krijonte precedent për shumë ngushtica të tjera në të gjithë botën, duke rritur kështu çmimet globalisht.

“Kjo është diçka që do të diskutojmë gjithashtu. Nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ne mbrojmë ligjin ndërkombëtar dhe do të bëjmë gjithçka për të siguruar që të mos ketë tarifa”, tha ai.

Macron potencoi se partnerët e G7 do të bëjnë gjithçka për të reduktuar varësinë e tyre nga ngushtica. “Kjo do të thotë të gjesh rrugë të tjera”, sqaroi më tej ai.

Samiti i G7 po zhvillohet në sfondin e një zhvillimi të rëndësishëm diplomatik në Lindjen e Mesme, pasi SHBA-ja dhe Irani ranë dakord për një marrëveshje kornizë që hap një dritare 60-ditore për negociata.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump pritet të mbërrijë të hënën pasdite për bisedime me liderët e tjerë nga vendet e tjera të G7: Franca, Kanadaja, Gjermania, Italia, Japonia dhe Britania e Madhe.

Udhëheqësit e BE-së, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të marrin gjithashtu pjesë.

Disa mysafirë të ftuar nga jashtë G7 do të marrin pjesë gjithashtu, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, kryeministrin indian Narendra Modi, presidentin brazilian Luiz Inacio Lula da Silva si dhe liderët e Koresë së Jugut, Kenias dhe Egjiptit.

Udhëheqësit e Gjirit, mes tyre Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani dhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, pritet gjithashtu të marrin pjesë.

Kategoritë
BotaLajme