LVV në Drenas: QKMF brenda muajit është vizituar dy herë nga policia e krimeve ekonomike

Lëvizja Vetëvendosje në Drenas pretendojnë se QKMF-ja “Hafir Shala” është vizituar dy herë brenda muajit nga policia e krimeve ekonomike, teksa thonë se komuna ka lejuar një operator pa licencë që të ofrojë shërbime për qytetarët.

Përmes një postimi në Facebook, nga dega e LVV-së në Drenas theksojnë se kontrata e cila nuk është realizuar është “Kujdesi socio-shëndetsor shtëpiak dhe ambulator për qytetarët e Komunës së Drenasit” nga operatori “Kosovamed Health Care sh.p.k”.

Sipas tyre, ka dyshime se kësaj kompanie i është pezulluar licenca dhe rreth 15 punëtorë kanë mbetur pa punë.

“Sipas informacioneve tona QKMF “Hafir Shala” në Drenas vetëm brenda këtij muaji është vizituar dy herë nga policia e krimeve ekonomike, herën e fundit nën dyshimet se ka keqpërdorim dhe mosrealizim të kontratës ‘KUJDESI SOCIO-SHENDETESOR SHTEPIAK DHE AMBULATOR PER QYTETARET E KOMUNES SE DRENASIT’ nga operatori ‘Kosovamed Health Care sh.p.k’. Komuna e Drenasit kishte nënshkruar kontratë me këtë kompani me datë 18.06.2021 në vlerë prej 372,600.00€, kontratë kjo e vlefshme për tri vite, sipas burimeve tona shërbimet e kërkuara sipas paramasës nuk janë ofruar as në numër e as në cilësi sipas kritereve të përcaktuara. Ekzistojnë dyshime se për mosrealizim të kontratës dhe dyshimin se kompania nuk ka licencë rasti i kësaj kompanie po trajtohet edhe nga inspektorati shëndetësor dhe sipas informacioneve që kemi ka dyshime se kësaj kompanie i është pezulluar licenca duke lënë kështu të papunë rreth 15 punëtorë dhe mijëra qytetarë të Drenasit pa shërbime shëndetësore”, thuhet në postimin e tyre.

Tutje thuhet se për këto dyshime të publikuara nga ta, komuna e Drenasit dhe menaxhmenti i QKMF-së duhet të japin përgjegjësi.

“Burimet tona konfirmojnë se menaxhmenti i QKMF-së në Drenas i ka njoftuar për lirimin nga puna këta punëtorë dhe të njëjtëve u ka thënë se ditët në vijim komuna do të marr një vendim për ta. Nëse dyshimet e përmendura janë të vërteta komuna e Drenasit dhe menaxhmenti i QKMF-së duhet të japin përgjegjësi se pse kanë lejuar që një operator pa licencë të ofroj këto shërbime për qytetarët e Drenasit dhe pse nuk kanë marrë masa nëse shërbimet e ofruara nuk kanë qenë sipas paramasës dhe kontratës së nënshkruar. Veç tjerash ekzistojnë dyshime se nga operatori i lartpërmendur është fryrë edhe numri i vizitave të realizuara në terren. Për këto probleme, komuna e Drenasit ka pasur informacione dhe sinjalizime të herë pas hershme asnjëherë nuk janë marrë masa në zbatimin e plotë të kësaj kontrate”, thonë nga LVV-ja,

Kategoritë
BotaLajme