Lojëra diplomatike: Irani nuk deshi ta nënshkruante marrëveshjen në ditëlindjen e Trumpit

Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që nisi pas sulmeve amerikano-izraelite më 28 shkurt, ndërsa gazeta amerikane The New York Times ka zbuluar një detaj interesant nga negociatat që çuan në këtë marrëveshje.

Sipas raportimit të gazetës, marrëveshja ishte finalizuar dhe e gatshme për nënshkrim që të dielën, por udhëheqja iraniane kishte vonuar dhënien e pëlqimit përfundimtar.

Arsyeja ishte se më 14 qershor është ditëlindja e presidentit amerikan Donald Trump, ndaj autoritetet në Teheran vendosën të shtynin nënshkrimin e marrëveshjes.

Kur Irani dha miratimin përfundimtar, sipas orës lokale në Iran tashmë kishte hyrë dita e hënë. Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara konsiderohet se marrëveshja u arrit pikërisht në ditëlindjen e Trumpit, për shkak të diferencës kohore mes dy vendeve.

Raporti i New York Times, veçanërisht ky detaj, tregon se sa rëndësi u kushtohet edhe elementeve simbolike që në rrethana të tjera mund të konsideroheshin të parëndësishme.

Kjo është veçanërisht e dukshme në diplomacinë aktuale, ku administrata amerikane drejtohet nga Trump, për të cilin simbolika të tilla kanë rëndësi të veçantë.

Sipas informacioneve të publikuara në mediat amerikane dhe iraniane, marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit ka të bëjë me përfundimin e luftës dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa në detajet e deritanishme nuk përmendet programi bërthamor i Teheranit.

Sipas Trumpit, marrëveshja pritet të nënshkruhet zyrtarisht të premten.

Kategoritë
BotaLajme