Llapi ia shkakton humbjen e parë Ballkanit, Prishtina rikthehet te fitorja

Kanë përfunduar tri ndeshjet e zhvilluar të shtunën në kuadër të xhiros së 17-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Llapi ka deklasuar Ballkanin, duke e mposhtur me rezultat 5:3, shkruan lajmi.net.

Hamdi Namani hapi rezultatin në minutën e gjashtë, derisa 10 minuta më vonë Muhamet Hyseni dyfishoi epërsinë.

Për mysafirët Gripshi nga penalltia ngushtoi epërsinë, duke e rikthyer në lojë Ballkanin, ndërsa Ballkani në minutën e 40-të barazoi rezultatin me anë të Berishës.

Megjithatë, Llapi nuk u dorëzua dhe rifitoi epërsinë me anë të Namanit.

Në pjesën e dytë Llapi nuk lejoi rikthimin e skuadrës nga Suhareka, duke shënuar edhe dy gola.

Muhamet Hyseni nga penalltia dhe Ahmed Januzi ia siguruan fitoren skuadrës së Batatinës.

Golin e fundit për Ballkanin e shënoi Albin Berishës.

Për Ballkanin kjo ishte humbja e parë në Superligën e Kosovës, por vazhdon të kryesoj tabelë, derisa Llapi ngjitet në pozitën e dytë.

Fitore ka shënuar edhe Prishtina, pasi mposhti Fushë Kosovën me rezultat minimal 1:0.

Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Mërgim Pefqeli.

Pas kësaj fitore, Prishtina ngjitet në pozitën e pestë me 25 pikë, ndërsa Fushë Kosova zë vendin e fundit me vetme 10 pikë.

Ndeshjen e fundit të së shtunës e fitoi Malisheva me rezultat minimal 1:0 ndaj Lirisë.

Malisheva shënoi në sekondat e fundit për të marrë pikët e plota, me Hazrollaj që arriti të shënojë golin e vetëm.

Me këtë fitore Malisheva blindon pozitën e katërt në tabelë me 26 pikë, derisa Liria mbetet e fundit me vetëm nëntë sosh.

Kategoritë
LajmeSport