Lista Serbe: Rreth 100 mijë serbë në Kosovë janë prekur nga vendimi për dinarin

Kryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Zlatan Ellek, ka thënë të shtunën se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbimin e serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës.

Duke folur në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut, Ellek theksoi se të gjithë ata që gëzojnë të hyra nga Serbia janë në rrezik dhe se rreth 100 mijë serbë në Kosovë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i autoriteteve kosovare për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb.

“Kjo vlen për të gjitha institucionet që funksionojnë në sistemin serb, pensionistët, përfituesit e përfitimeve sociale, studentët, bursistët. Pra, i gjithë populli serb”, tha Eleku.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret si valutë për pagesa me para të gatshme – hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e zbatimit të saj.

Kryetari i Listës Serbe thotë se largimi i dinarit nga sistemi i pagesave nënkupton vënien e serbëve në një “pozitë të padurueshme” dhe se është një “prelud i eksodit total të popullit serb” në territorin e Kosovës.

Ai e cilësoi vendimin si “lëvizje përgatitore” nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.

“Vendimi për shfuqizimin e institucioneve serbe që kujdesen për arsimin, shëndetësinë, ekonominë dhe asistencën sociale, po ua shfuqizon jetën serbëve”, tha Elleku.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi