Lirohet Agim Nuha, kryeshefi i AZHB-së që u arrestua dje nga Njësia Speciale

Agim Nuha, u.d i drejtorit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë i cili u shoqërua dje nga Policia, është liruar.

Kjo është konfirmuar me anë të një komunikate për media nga Prokuroria e Prishtinës.

Prokuroria ka bërë të ditur se 11 persona janë ndaluar, teksa Nuha vetëm është shoqëruar në polici për t’u liruar më pas në procedurë të rregullt.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin se nga bastisja e realizuar më 24 shkurt 2021, në komunën e Prishtinës, Podujevës, Gjilanit, Istogut e Lipjanit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar personat me inicialet S.Sh., L.S., S.S., H.M., B.N., K.Z., A.U., D.A., P.K., Sh.K., K.B-S., ndërsa personi me inicialet A.N., vetëm është shoqëruar në stacionin policor dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Nga kjo bastisje e realizuar janë konfiskuar: rreth 433,160.00 (katërqind e tridhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) euro, 600 (gjashtëqind) dollar, 200 (dyqind) franga, 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) lira turke, 15 (pesëmbëdhjetë) telefona,  8 (tetë) vetura, 1 (një) kompjuter, 5 (pesë) armë, 1 (një) USB dhe 1 (një) vulë.

Kategoritë
LajmeVendi