Kryetari i Nismës Socialdemokrate , Fatmir Limaj, tha se ende nuk ka marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për takimin me partitë politike për gjetjen e një zgjidhjeje për kapërcimin e bllokadës në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Mirë që po ndodhin këto lëvizje. Ne ende nuk kemi marrë ndonjë ftesë nga presidentja. Siç e dini, unë jam i pari bile si me than jam linçuar kur kam thënë se për tema nacionale duhet të ulet që të bisedohet dhe ju gjithmonë do ta keni një përgjigje time pozitive, sepse kjo është rruga. Nuk ka rrugë tjetër. Ne gjitha ftesat, të cilat janë në funksion të bashkëbisedimit, të shqetësimit dhe brengosje për të gjetur zgjidhje ftesave të tilla ne ju përgjigjemi pozitivisht, pavarësisht nga kush vjen ftesa. Kemi disa propozime, por së pari do të shohim nëse e kemi ftesën. Do të dëgjojmë se cili është qëllimi i ftesës së presidentes dhe aty pastaj do t’i shfaqim qëndrimet tona”, tha Limaj.
U pyet edhe në lidhje me propozimin e LDK-së për qeveri tranzicionale.
“Ne jemi për qeveri të shumicës. Është një propozim që duhet trajtuar. Ai propozim duhet të konkretizohet. Propozuesi duhet të fillojë iniciativën, pastaj qëndrimet tona i shfaqim aty në një takim të mundshëm. Unë e mbështes idenë ose me mënyrën e qeverisjes së shumicës. Duhet të ketë Kosova një shumicë parlamentare”, tha Limaj.