Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, pritet që sot të nënshkruajnë koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme, që pritet të mbahen me gjasë në fund të këtij viti, shkruan Gazeta Metro.
Siç ka mësuar Gazeta Metro nga burime brenda AAK’së, koalicioni pritet të zyrtarizohet sot dhe do të quhet ‘Fronti i përbashkët për vendin’.
Dy krerët e partive gjatë ditës pritet të dalin në një konferencë për media për të kumtuar lajmin për bashkimin e tyre në një koalicion parazgjedhor.
Prijës i listës pritet të jetë kryetari i AAK’së, Ramush Hardinaj, ndërsa pas tij do të jetë kreu i Nismës, Fatmir Limaj.
AAK dhe Nisma kishin qenë në koalicion bashkë dhe në bashkëqeverisje edhe para disa viteve.

Bëhet fjalë për vitin 2017 deri në vitin 2019, kur Haradianj ishte kryeministër e Limaj zëvendës i tij.
Ndërkaq në zgjedhjet që pasuan, po në vitin 2019, Nisma që në atë kohë ishte në koalicion me AKR’në nuk arriti ta kalojë pragun duke mbetur kështu jashtë Kuvendit.
Pak javë e ndajnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të hyjë në vitin e katërt të mandatit qeverisës, ndërkohë që partitë opozitare vazhdimisht kanë qenë të zëshme duke kërkuar largim të kryeministrit Kurti, por jo edhe për mënyrën se si duhet të arrihet ky qëllim.
AAK’ja ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë përmes mocionit të mosbesimit, kërkesë kjo që nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera opozitare. Ndërkaq pushteti tash e disa javë po flet për zgjedhje, me mundësinë që të mbahen në fund të këtij viti.