Liderët e Gjirit në samitin me Trumpin bëjnë thirrje për përfundimin e luftës në Gaza dhe mbështetjen e Sirisë

Samiti midis Gjirit dhe SHBA-së u mbajt gjatë turneut aktual rajonal të presidentit Trump, udhëtimit të tij të parë jashtë shtetit që nga marrja e detyrës në janar

Liderët e Gjirit gjatë samitit të tyre me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, kanë bërë thirrje për përfundimin e luftës izraelite në Gaza dhe për mbështetjen e Sirisë, transmeton Anadolu.

Samiti midis Gjirit dhe SHBA-së u mbajt gjatë turneut aktual rajonal të presidentit Trump, udhëtimit të tij të parë jashtë shtetit që nga marrja e detyrës në janar.

Duke iu drejtuar samitit, Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, i quajti marrëdhëniet me SHBA-në “strategjike”.

“Ne po bashkëpunojmë me SHBA-në për të de-përshkallëzuar situatën në Gaza, për t’i dhënë fund luftës dhe për të gjetur një zgjidhje gjithëpërfshirëse për çështjen palestineze”, tha ai.

Ushtria izraelite vazhdon ofensivën brutale në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 52.900 palestinezë që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Bin Salman gjithashtu përshëndeti vendimin e Trumpit për heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Sirisë.

“Ne pohojmë respektin tonë për sovranitetin e Sirisë dhe mbështetjen për përpjekjet e qeverisë për të arritur sigurinë. Ne përgëzojmë vendimin e presidentit Trump për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, gjë që do të lehtësojë vuajtjet e popullit sirian”, tha ai.

Emiri i Kuvajtit, Sheikh Meshal Al-Ahmad Al-Sabah, nga ana e tij, bëri thirrje për forcimin e përpjekjeve nga komuniteti ndërkombëtar për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e Sirisë, për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, si dhe për t’i dhënë fund vuajtjeve të popullit të saj dhe për të ndaluar ndërhyrjet e huaja në çështjet e brendshme të saj.

Ai gjithashtu përshëndeti njoftimin e Trumpit për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë.

Dje, Trumpi gjatë Forumit të Investimeve Arab-Amerikan 2025 në Riad tha se do të urdhërojë heqjen e sanksioneve “brutale dhe paralizuese” të SHBA-së ndaj Sirisë për t’i dhënë vendit “një mundësi për madhështi”.

– Paqja rajonale

Ndërkaq, Mbreti i Bahreinit, Hamad bin Isa Al-Khalifa, vlerësoi përpjekjet efektive diplomatike të Trumpit për të arritur paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe në botë.

Ai tha se e vlerësojnë vendimin e Trumpit për heqjen e sanksioneve ekonomike ndaj Sirisë dhe theksoi se presin me padurim bashkëpunim të mëtejshëm për të arritur një rajon të sigurt, të qëndrueshëm dhe të begatë që përfshin të gjitha vendet e tij.

“Kjo politikë e mençur përfaqëson një mundësi unike për të ecur së bashku drejt arritjes së paqes së drejtë dhe të qëndrueshme, e cila garanton të drejtat e popullit palestinez përmes zgjidhjes me dy shtete, që ruan sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe që kontribuon në çlirimin e rajonit nga armët e shkatërrimit në masë, duke parandaluar kështu një garë armatimesh”, tha ai.

Zv/kryeministri i Omanit, Asa’ad bin Tarik Al-Said, ngriti shqetësim të thellë për situatën humanitare në Gaza, e cila rezulton nga shumë dekada të pushtimit izraelit të territoreve palestineze.

“Kjo padrejtësi e vazhdueshme, së bashku me dështimin e komunitetit ndërkombëtar në arritjen e paqes së drejtë, është thelbi i shumë sfidave rajonale”, tha ai.

Pas samitit, Trump udhëtoi për në Katar në ndalesën e dytë të turneut të tij aktual në Gjirin Persik. Siç është planifikuar, ai gjithashtu do të vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe.

Samiti i sotëm ishte i samiti i pestë midis vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik dhe SHBA-së. Samiti i parë u mbajt në maj të vitit 2015, i dyti në prill të vitit 2016, i treti në maj të vitit 2017 me pjesëmarrjen e Trumpit dhe i katërti në korrik 2022.

Kategoritë
BotaLajme