Liderët e G7-tës bëjnë thirrje për një përgjigje “të koordinuar” ndaj shpërthimit të Ebolës në Kongo dhe Ugandë

“Jemi thellësisht të pikëlluar nga humbja e jetëve dhe nga barra që kjo sëmundje po u shkakton komuniteteve të prekura dhe shprehim solidaritetin tonë me vendet e prekura”, thanë liderët në një deklaratë të përbashkët

Liderët e vendeve të G7-tës kanë bërë thirrje për një “përgjigje të fortë dhe të koordinuar” ndaj shpërthimit të Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë, duke paralajmëruar për rreziqet që sëmundja paraqet për sigurinë shëndetësore, transmeton Anadolu.

“Jemi thellësisht të pikëlluar nga humbja e jetëve dhe nga barra që kjo sëmundje po u shkakton komuniteteve të prekura dhe shprehim solidaritetin tonë me vendet e prekura”, thanë liderët në një deklaratë të përbashkët, e mbështetur gjithashtu nga Egjipti, India, Kenia dhe Koreja e Jugut.

Deklarata theksoi se shpërthimi është përqendruar në “një zonë të izoluar dhe të prekur nga konflikti” në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, gjë që i bën më të vështira përpjekjet për frenimin e përhapjes së virusit dhe operacionet e reagimit mjekësor.

Po ashtu u theksua se vaksinat, metodat diagnostikuese dhe trajtimet ekzistuese “nuk janë plotësisht efektive” kundër variantit të virusit të përfshirë në këtë shpërthim.

Duke kujtuar përpjekjet e mëparshme për të luftuar Ebolën, udhëheqësit thanë se “qëllimi ynë i parë duhet të jetë parandalimi i përhapjes së mëtejshme” të virusit brenda rajonit të prekur dhe më gjerë.

“Ne jemi të vendosur të ofrojmë dhe mobilizojmë mbështetje për një përgjigje globale të koordinuar, me qëllim lehtësimin e zhvillimit dhe shpërndarjes efektive të vaksinave, mjeteve diagnostikuese dhe trajtimeve të posaçme për të luftuar këtë shpërthim gjatë muajve të ardhshëm”, shtuan ata.

G7-ta gjithashtu u bëri thirrje vendeve jashtë grupit të kontribuojnë me burime për t’u përballur me atë që e cilësoi si një “kërcënim global”.

Liderët thanë se do të vazhdojnë ta monitorojnë nga afër situatën për të siguruar që “ky virus i rrezikshëm të mos përhapet, përfshirë edhe përtej kufijve”.

Ata gjithashtu paralajmëruan se konflikti i vazhdueshëm në lindje të Republikës Demokratike të Kongos po pengon përpjekjet e shëndetit publik dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që të zbatojnë plotësisht Marrëveshjet e Washingtonit për Paqe dhe Prosperitet dhe Kornizën e Dohas.

Sipas Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), dhjetë vende, përkatësisht Ruanda, Kenia, Tanzania, Angola, Burundi, Republika e Afrikës Qendrore, Republika Demokratike e Kongos, Etiopia, Sudani i Jugut dhe Zambia, përballen me rrezikun e një shpërthimi të Ebolës.

Kategoritë
BotaLajme