“Zhvillimet në Gaza na shqetësojnë thellësisht. Derisa qeveria dhe ushtria izraelite kanë një interes legjitim në luftën kundër terrorizmit të Hamasit, ato gjithashtu kanë një detyrim humanitar ndaj popullsisë civile në Gaza”, theksoi Merz
Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka kërkuar nga Izraeli të përmbushë detyrimet e tij humanitare duke lejuar që ndihma humanitare të arrijë te civilët palestinezë në Gaza, transmeton Anadolu.
Në një konferencë të përbashkët për media në Paris me presidentin francez, Emmanuel Macron, Merz ripohoi mbështetjen e Berlinit për luftën e Izraelit kundër Hamasit, duke theksuar se kjo fushatë ushtarake nuk duhet të dëmtojë popullsinë civile.
“Zhvillimet në Gaza na shqetësojnë thellësisht. Derisa qeveria dhe ushtria izraelite kanë një interes legjitim në luftën kundër terrorizmit të Hamasit, ato gjithashtu kanë një detyrim humanitar ndaj popullsisë civile në Gaza”, theksoi Merz.
Lideri konservator njoftoi se këtë fundjavë do ta dërgojë në Izrael ministrin e Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, për t’i përcjellë mesazhin e tij udhëheqjes izraelite.
Ai tha se ndihma humanitare ndërkombëtare duhet të arrijë te popullsia civile e Gazës, pasi siç theksoi ai, edhe ata janë viktima të konfliktit.
“Ne qëndrojmë me Izraelin, pa ndonjë ‘nëse ose por’. Ne e kuptojmë domosdoshmërinë për t’u mbrojtur nga terrorizmi i Hamasit, pa ndonjë ‘nëse ose por’. Megjithatë, ekziston edhe një detyrim humanitar i qeverisë izraelite ndaj popullsisë civile që nuk janë të përfshirë në këtë konflikt”, tha ai.
Merz prej kohësh ka qenë një mbështetës i vendosur i Izraelit, vazhdimisht duke deklaruar se siguria e Izraelit është pjesë e “arsyes shtetërore” të Gjermanisë dhe duke premtuar të forcojë marrëdhëniet dypalëshe gjatë mandatit të tij si kancelar.
Ai publikisht kritikoi urdhër-arrestin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, pavarësisht detyrimeve të Gjermanisë sipas Statutit të Romës, traktatit që themeloi gjykatën.
Pas fitores së tij në zgjedhjet e 23 shkurtit, Merz zhvilloi një bisedë telefonike me Netanyahun dhe i informoi gazetarët se kishin diskutuar vizitën e mundshme të kryeministrit izraelit në Berlin, duke treguar se ai do të “gjejë mënyra dhe mjete” për ta bërë atë të ndodhë.