LDK dorëzohet para Haradinajt: Autostrada e Dukagjinit ishte kusht i koalicionit

“Njëherë kemi pandeminë, nuk merremi tani  me autostrada”, kështu thoshte lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kur u pezullua projekti për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit

Pas shumë deklaratave që nga kreu i LDK’së, e deri tek ministra e deputetë të kësaj partie se autostrada e Dukagjinit nuk do të ndërtohet, duke se më në fund janë dorëzuar përkrah kërkesave të kreut të AAK’së, Ramush Haradinaj.

Edhe kryeministri Avdullah Hoti i cili drejton Qeverinë kishte thënë se një Autostradë e tillë s’do të ndërtohet meqë s’ka intensitet të madh të trafikut në atë pjesë që do të arsyetonte një investim aq të madh.

Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet dhe nuk do të ketë ndalesa nga Qeveria Hoti ashtu siç u tha dhe u planifikua, LDK është dorëzuar përfundimisht përballë presionit të Haradinajt.

Këtë sot e vërtetoi edhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka konfirmuar se ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit është përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2021.

“Një projekt të cilin e kemi kontraktuar më herët por duhet fonde shtesë për të finalizuar është ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit, Istog-Pejë- Deçan- Gjakovë”, ka thënë Abrashi.

Madje, edhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami pohoi se buxheti i përgatitur është gjithëpërfshirës, ku për vitin e ardhshëm buxheti do të jetë 2.4 miliardë euro, 200 milionë euro më pak se buxheti i vitit 2020.

Ndërkaq edhe ish-Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, e ka pranuar se ndërtimi i kësaj autostrade ka qenë kusht i AAK’së për marrëveshje me LDK’në.

Nuk rrezikohet (koalicioni) se kemi marrëveshje politike dhe duhet të implementohet. (Autostrada e Dukagjinit) ka qenë kusht i marrëveshjes”, ka deklaruar Lekaj për Express.

Ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit do kushtoj mbi 1 miliard euro, ku e përbashkëta e të gjitha alternativave është se traseja do të jetë e gjatë nga 90 – 96 km dhe do t’i lidhë Istogun, Pejën, Deçanin, Gjakovën dhe Prizrenin.

Kategoritë
LajmeVendi