Kush mund të jetë udhëheqësi i ri i 1.4 miliardë katolikëve? Këta janë kandidatët më të mundshëm për Papën e ri

Papa Françesku ka ndërruar jetë në Vatikan në moshën 88-vjeçare, dhe pas varrimit do të organizohet konklava, në të cilën do të zgjidhet autoriteti i ri suprem fetar për më shumë se 1.4 miliardë katolikë në botë. Disa emra veçohen si zgjedhje të mundshme për Papën, por “befasitë” janë gjithmonë të mundshme.

Ritet që e rrethojnë trashëgiminë papale datojnë prej shekujsh, por procesi ka marrë një qasje moderne pas hartimit të një udhëzuesi online nga një ekip gazetarësh dhe studiuesish katolikë për çdo kardinal që do të marrë pjesë në zgjedhjen e pontifikut të ardhshëm.

Raporti i Kolegjit të Kardinalëve përmban të dhëna për të gjithë 252 kardinalët, përfshirë qëndrimet e tyre për çështje si shugurimi i diakonëve, bekimi i bashkësive të të njëjtit seks dhe celibati zgjedhor për priftërinjtë.

Nga 252 kardinalët e përmendur në raport, 137 prej tyre janë aktualisht nën moshën 80 vjeç dhe kështu kanë të drejtë të marrin pjesë në konklavë dhe në zgjedhjen e Papës.

Sipas revistës America, nga 138 kardinalët nën 80 vjeç, shumica janë emëruar nga Papa Françesku. Numri total i votuesve teknikisht duhet të jetë i kufizuar në 120, por Françesku nuk është Papa i parë që e ka kaluar këtë kufi.

Françesku ka “revolucionarizuar” Kolegjit e Kardinalëve duke anashkaluar kryedioqezat e mëdha si Los Anxhelosi, Venecia dhe Milano “në favor të zgjedhjes së njerëzve nga periferitë që pasqyrojnë orientimin e tij baritor dhe kujdesin për të varfrit”, shkruan America.

“Rezultati do të jetë një konklavë shumë ndryshe nga ajo që e zgjodhi atë. Do të jetë më pak italiane, më pak evropiane dhe më pak kuriale, por do të jetë më shumë aziatike dhe afrikane,” thuhet aty.

Kushdo që të jetë Papa i ardhshëm, bastoret besojnë se ka 50 për qind gjasa që ai të quhet Françesku II. Emra të tjerë që përfliten janë Gjoni Pali, Leoni dhe Gjoni.

Kardinalët që tërheqin vëmendjen si papë të mundshëm quhen në italisht papabili. Kandidatët kryesorë përfaqësojnë një gamë të gjerë prejardhjesh dhe qëndrimesh ideologjike, ndaj zgjedhja eventuale mund të ndryshojë drejtimin e ardhshëm të Kishës.

Procesi është i paparashikueshëm, sepse kardinalët mbyllen për ditë me radhë duke votuar, ndaj çdo spekulim është i pasaktë, sipas U.S. Catholic. Ata “luten shumë te Shpirti i Shenjtë, i cili është plot me befasi”.

Kardinali Pietro Parolin, nga Italia, i njohur si “diplomati i përsosur i Vatikanit”, ishte sekretar shteti i Papës Françesku dhe është favoriti aktual për pasardhës të tij.

Ai njihet për ndërmjetësimin në ngrohjen e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kubës dhjetë vite më parë, si dhe për marrëveshjen ndërmjet Vatikanit dhe Kinës më 2018.

Duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë aktuale gjeopolitike, kardinalët votues mund të shohin nevojën për një diplomat. Pietro ka “mbijetuar” 11 vite duke punuar me Papën Françesku dhe ka shmangur shumë ristrukturime që Papa ka bërë.

Kardinali Luis Antonio Tagle, nga Filipinet, ka qenë prej kohësh kandidati kryesor ndër vëzhguesit dhe bastoret vatikanase. Njihet si karizmatik, mediatik dhe i gëzueshëm; nëse zgjidhet, do të jetë Papa i parë aziatik dhe i pari që flet rrjedhshëm anglisht që nga viti 1150, nga Papa Adriani IV, i lindur në Hertfordshire.

Kardinali Tagle nuk ngurron të tregojë emocione dhe ka një qëndrim të përzemërt e popullor, thuhet në raportin e Kolegjit të Kardinalëve. Politikat e tij majtiste janë të ngjashme me pikëpamjet relativisht progresive të Papës Françesku për çështjet e drejtësisë sociale.

Kardinali Peter Turkson, nga Ghana, përshkruhet si i sjellshëm dhe simpatik, dhe për shumë kohë është konsideruar si kandidati i parë afrikan. Megjithatë, pikëpamjet e tij relativisht liberale për homoseksualitetin, ekologjinë dhe drejtësinë sociale e kanë sjellë në konflikt me disa kolegë kardinalë dhe peshkopë në vendin e tij.

Megjithëse ka entuziazëm për zgjedhjen e një Pape afrikan, ku popullsia katolike po rritet, Turkson përgjithësisht nuk shihet si kandidat unifikues.

Kardinali Péter Erdő, nga Hungaria, është studiues dhe intelektual i nderuar dhe konsiderohet si një “zgjedhje konsensuale”.

I rritur nën regjimin komunist, familja e tij iku vetëm me rrobat e trupit kur trupat sovjetike dogjën shtëpinë e tyre në vitin 1956. Që atëherë, ai e ka mbikëqyrur Kishën në vendin e tij ndërsa demokracia hungareze rrëshqet drejt autokracisë – një “aftësi ndoshta e zbatueshme në këto ditë”.

Kandidat në prapaskenë konsiderohet kardinali Mykola Bychok nga Ukraina. Papa Françesku e shpalli kardinal vitin e kaluar, kur ai ishte 45 vjeç dhe shërbente si eparh i Shën Pjetrit dhe Palit në Melburn.

Ai “ka folur me elokuencë për vuajtjet e bashkëkombësve të tij ukrainas në luftën aktuale me Rusinë, dhe bashkësia e tij në Australi përbëhet kryesisht nga refugjatë greko-katolikë nga Lufta e Ballkanit dhe konflikti me Rusinë që shpërtheu më 2014”, tha Daniel Gallagher, ish-sekretari latin i Papës Benedikti XVI dhe Françeskut, dhe aktualisht lektor i letërsisë dhe filozofisë në kolegjin amerikan Ralston.

Kategoritë
BotaLajme