Kurti: Siç kaluan nga targat ilegale në RKS, do të kalojnë nga dinari në euro

Kryeministri Albin Kurti sot para mediave në Prishtinë  ka folur për çështjen e Rregullores së BQK-së dhe kërkesës së aleatëve për pezullimin e implelementimit për dinarin.

Kurti ka përmendur periudhën tranzitore prej një muaji, por nuk është se ka dhënë sinjale që mund të shkojë drejt një vendimi të tillë.

Ai tha se do të ketë më shumë informim dhe jo ndëshkim të atyre që ende iu kanë mbetur dinarë.

Kryeministri Kurti tha se njëjtë siç ishin konvertuar nga targat ilegale “KM” në RKS, do të kalojnë edhe nga dinari në euro, madje më shpejt dhe më lehtë.

“BQK është institucioni pavarur. E ka marrë vendimin. Ne do të intensifikojmë fushatën komunikuese me të gjithë ata që e kanë kuptuar ose kanë nevoje ta ridëgjojnë, që dinari në Kosovë s’po ndalohet, por nuk lejohet si mjet pagese. Kosova e ka euron dhe ashtu qysh janë konvertuar targat KM në RKS, edhe më shpejt dhe më kollaj do të bëhet konvertimi nga dinari në Euro”, ka thënë kryeministri.

“Dinari për pagesë ka qenë në shekullin e kaluar. Këtë shekull kemi pasur markën gjerman e euron. Nuk besoj që serbët e urrejnë euron.”, ka deklaruar Kurti.

“Këtë muaj do ta intensifikojmë fushatën tonë të informimit. Nuk është qëllimi im të ndëshkojmë askënd që i kanë qëlluar dinarët, mirëpo duhet të bëhet konvertimi në euro. BQK i ka shkruar letër Bankës Kombëtare të Serbisë, dhe besoj që ata duhet të kthejnë përgjigje”, tha Kurti.

Rregullorja e re e BQK-së lidhur me operacionet me paratë e gatshme ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.

Sipas kësaj rregullore, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë është euro. /Reporteri.net/.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi