Kurti shpreson që në 2024 të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se shpreson që në këtë vit të normalizohen raportet me Serbinë.

Në një intervistë për AFP, Kurti theksoi se është e rëndësishme që viti 2024 të jetë final, pasi dëshiron që pas kësaj të vazhdojë të merret me çështje të tjera të rëndësishme.

“Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë uroj për këtë vit, për vitin 2024, dhe në vitet dhe dekadat e ardhshme dua të dal fitimtar në çështje si pabarazia sociale, ndryshimet klimatike dhe kërcënimet e sigurisë”, deklaroi Kurti.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013.

Dy vjet më vonë, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Në fakt, është e diskutueshme që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumica.

Janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë thirrje për themelimin e Asociacionit si dhe hapave të tjerë për normalizimin e marëdhënieve Kosovë-Serbi.

Megjithatë, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për qasje destruktive.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi