Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për takimin që pati me Shefin e CIA’s, William Burns, sot në mëngjes. Vizitën e Burns, e ka cilësuar si historike, e Burnsin si diplomat briliant
Kurti ka deklaruar se “Qeveria po i menaxhon sfidat e brendshme të sigurisë suksesshëm, e drejtuar nga forca e ligjit të drejtë me institucione e mekanizma të shtetit tonë demokratik”.Marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duam t’i forcojmë e zgjerojmë edhe më tej. Vizita e Drejtorit të CIA-s, diplomatit briliant William Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë”, ka deklaruar Kurti.
Burns dje është takuar edhe me Presidenten Vjosa Osmani.
Vizita e tij në Kosovë vjen pas asaj që raportohet se pati në Beograd dje dhe Bosnjë të mërkurën.
Për vizitën në Serbi, nuk ka dalë ende asnjë detaj. Madje nuk është konfirmuar ende.
Ndërkohë, në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.
Një zyrtar i Qeverisë amerikane, ka deklaruar për REL se arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.
Burns është emëruar në pozitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së nga Presidenti Joe Biden në janar të vitit 2021.
Burns është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan Joe Biden, pasi është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë. Më herët ai ka qenë ambasador në Rusi.