Kurti pret deputetë britanikë: Mbretëria e Bashkuar mbështet Kosovën drejt NATO-s dhe integrimeve euroatlantike

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në takim deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers dhe Paul Foster.

Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin ekonomik e tregtar dhe atë në fushën e mbrojtjes. Nga ana e Kurtit, u veçua mikpritja dhe pjesëmarrja e Kosovës në ushtrimet ndërkombëtare të Defender Europe 2025.

Ai theksoi investimet dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit – duke shënuar rritje prej 123% të numrit të ushtarëve gjatë katër viteve të fundit krahas investimeve në armatim– si dhe rëndësinë strategjike të bashkëpunimit në industrinë ushtarake si një fushë e re dhe me potencial për partneritetin Kosovë–Mbretëri e Bashkuar.

Gjatë takimit, Kurti foli për sektorët strategjikë të ekonomisë, me fokus të veçantë në projektet e infrastrukturës hekurudhore dhe sektorin e teknologjisë, si fusha me potencial të lartë për investime dhe bashkëpunim.

Temë tjetër e diskutimit ishte edhe bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, samiti i radhës i së cilit do të mbahet pikërisht në Londër, si dhe rëndësia e anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në NATO, si një hap kyç për sigurinë afatgjatë dhe stabilitetin rajonal.

“Deputetët britanikë vlerësuan progresin e Kosovës dhe shprehën përkushtimin e tyre dhe të Mbretërisë së Bashkuar për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike dhe zhvillimit demokratik.

Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe gjithëpartiake të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM.

Kategoritë
LajmeVendi