Kurti mesazh BE-së nga Mali i Zi: Monitoroni progresin në Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i bëri thirrje BE-së që të monitorojë progresin në Ballkanin Perëndimor për sa i përket progresit demokratik dhe reformave të BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE) që po mbahet në Kotor të Malit të Zi, ka thënë se teksa diskutohet rruga drejt anëtarësimit në BE, progresi i Kosovës duhet njohur e pranuar.

Kurti në samitin me temën “Gjendja aktuale dhe planet e ardhshme – Plani i ri i rritjes”, theksoi rëndësinë e ndërlidhjes së fondeve e financimin nga BE-ja me respektimin e vlerave të BE-së, derisa i bëri thirrje BE-së që të monitorojë progresin në Ballkanin Perëndimor për sa i përket progresit demokratik dhe reformave të BE-së, dhe më pas të bazojë politikat e saj mbi ato të dhëna.

Duke folur për përparimin që Kosova ka shënuar në agjendën e reformave të Planit të Rritjes, ai tha se Kosova është afër përmbushjes së kësaj agjende e cila përbëhet nga pesë fusha të politikave me 32 reforma në 17 sektorë.

Kurti tha se marrëdhëniet e mira fqinjësore me njohje “de facto” dhe “de jure” janë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin, teksa i kërkoi edhe një herë Serbisë që t’ia dorëzojë Kosovës. Millan Radojçiqin dhe grupin e tij përgjegjës për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, më 24 shtator të vitit 2023.

Në fund, kryeministri i Kosovës bëri thirrje që rajoni i Ballkanit Perëndimor të bëhet pjesë e Autoritetit evropian kundër pastrimit të parave – “EU Anti-Money Laundering Authority” (AMLA), me qëllim të rritjes së integritetit financiar dhe bashkëpunimit në luftimin e krimeve financiare ndërsa sa i përket CEFTA-s, ai theksoi se duhet të sigurohet përfaqësim dhe trajtim i barabartë për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi