​Kurti e Vuçiq të martën ‘përballen’ në Shkup

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut ka nisur një samit dyditor, ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian po diskutojnë zbatimin e Planit të Rritjes për rajonin.

Ky takim, që zhvillohet më 30 qershor dhe 1 korrik, ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të nxisë iniciativat e përbashkëta në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal.

Në mesin e folësve kryesorë të samitit janë Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilët do të paraqesin qëndrimet e vendeve të tyre në raport me Planin e Rritjes dhe integrimin ekonomik rajonal.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, do të presë një darkë formale për liderët rajonalë dhe zyrtarët evropianë në ambientet e “Winery Kamnik”, ndërsa ministrat dhe partnerët zbatues do të marrin pjesë paralelisht në një darkë tjetër në të njëjtin vend.

Aktiviteti kryesor i samitit do të mbahet më 1 korrik në hotelin “Hilton Double Tree”, ku do të zhvillohen dy panele diskutimi.

Temat kryesore do të jenë vlerësimi i progresit të Planit të Rritjes, prezantimi i iniciativave të reja dhe nxitja e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të rajonit. Samiti do të përmbyllet me një konferencë për media dhe një drekë zyrtare.

Në këtë ngjarje marrin pjesë liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, Kryeministrin në detyrë të Kosovës Albin Kurti, Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, Kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajiq dhe Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto.

Gjithashtu janë të pranishëm përfaqësues të Bashkimit Evropian, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës Botërore (BB) dhe organizatave të tjera rajonale.

Kategoritë
LajmeVendi