Kodi i ri civil, të cilin qeveria synon ta bëjë gati për miratim në kuvend deri më 15 nëntor është bërë çështje debati në seancën e sotme plenare në kuvend, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe deputetit Eman Rrahmani.
Përfshirja e një neni aty i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë, nxiti replika mes Kurtit dhe Rrahmanit.
Deputeti i PDK-së e pyeti Kurtin për këtë çështje, të cilën e konsideroi “të dëmshme për familjen tradicionale”.
“Pse po vazhdoni kryeministër sërish me këtë agjendë, pavarësisht kundërshtimit të mëparshëm”, tha ai.
Kurti, tha se “qeveria planifikon ta sjellë kodin civil në kuvend sepse Kosovës i nevojitet një reformë e qëndrueshme e reformës civile”.
“Tashti mbrojtja e familjes, pa dyshim që është pjesë thelbësore e kësaj reforme”, tha ai.
Rrahmani e kritikoi Kurtin për ikje nga përgjigjja, duke i thënë se “te kodi civil dihet çka është kundërshtu”.
Kurti tha se “kodi civil i ka 997 faqe. I ka 1630 nene”.
“Ka mundësi që ndihmon nëse i lexoni dhe i shqyrtoni edhe këto nenet tjera”, tha ai, duke iu drejtuar ish-deputetit të LVV-së.
“Është jashtëzakonisht voluminoz. Përqendrimi në vetëm dy nene është rrezik ju bëhet obsesion. Nuk ndihmon ajo. Nuk ndihmon”, tha Kurti.
Ai tha se Rrahmani i rilexon “pafundësisht” vetëm dy nene të atij kodi që po përgatitet.
“Nuk dua ta mohoj vlerën e secilit nen, por rëndësia më e madhe i përket tërësisë. 997 faqe, 1630 nene. Ju i rilexoni pafundësisht veç nja dy. Provoni edhe këto të tjerat. Ky është një sugjerim dashamirës i imi”, tha Kurti.
“Nuk është mirë të degradohen 997 faqe me 1.630 nene, në dy të tilla, prej të cilave ju s’po arrini të dilni jashtë si horizont i kuptimit dhe mendimit”, tha kryeministri.
Rrahmani tha se nuk do të hyjë asnjëherë “në horizontin” e Kurtit, ndërsa paralajmëroi se do të bëjë përpjekje për ta penguar miratimin në kuvend të këtij kodi civil, i cili sipas tij “e cenon familjen”.
