Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur për herë të parë mbi zhvillimet politike dhe ngërçin në Kuvend pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të shtunën, Kurti e ka refuzuar idenë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për qeveri tranzicionale, por ka thënë se është i interesuar për qeveri normale.
Për këtë, siç thotë Kurti, i dërgoi edhe një ftesë të dytë kryetarit të LDK-së me mendimin se tash pas reformave, koalicioni me LVV-në do të ishte më i lehtë.
“Për ta ndihmuar daljen nga kjo bllokadë siç e dini i ftova kryetarët e partive PDK-së e LDK-së, por ky i dyti refuzoi të vijë, ndonëse disa deputetë të LDK-së thanë se duhet të ketë marrëveshje politike. Për këtë e shkrova edhe një letër tjetër për koalicion LVV-LDK, por edhe ajo u refuzua. LDK më 2020 bëri koalicion me ne, tash pas reformave do të duhej ta kishte më të lehtë. Ndoshta rruga e re ka preferenca tjera. Ne duam qeveri normale jo të përkohshme e as të tranzicionit e as të opozitës. Dorën në zemër ky togfjalëshi është paradoksal, sepse opozita është opozitë se duhet të jete opozitë e qeverisë”, ka thënë Kurti.
Për moskonstituimin e Kuvendit për të 13-tën herë, Kurti ka këmbëngulur se nuk ka krizë institucionale, por vakum kushtetues. Sipas tij, institucionet tjera funksionojnë normalisht dhe vetëm Kuvendi i ri nuk është konstituuar, për shkak se Kushtetuta nuk parashikon qartë çfarë ndodh kur kandidati për kryetar nuk merr 61 vota.
“Kuvendi nuk konstituohet nga fituesi, qoftë ai absolut apo relativ. Por meqë jemi fitues, na takon pozita e kryetarit. Kuvendi është përgjegjësi e të gjithëve”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se partia e tij nuk ka bllokuar procesin, pasi ka propozuar kandidaten Albulena Haxhiu dhe ka votuar për të. Sipas Kurtit, disa deputetë opozitarë që më herët votonin kundër propozimit të VV-së, tani po bojkotojnë votimin krejtësisht për të penguar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.
“Bllokimi vjen nga ata që votojnë kundër apo bojkotojnë votimin. Ne nuk jemi bllokues, por votues. Të tjerët le t’i ruajnë propozimet e tyre për kur t’ju vijë radha – ne do t’i respektojmë ato”, shtoi ai.
Kurti tutje u shpreh se rezultati i zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet, edhe nëse ato përsëriten – përveç se mund ta rrisin Vetëvendosjen.
“Zgjedhjet mund të përsëriten, por rezultati jo vetëm që mund të ripërsëritet, por edhe të thellohet për Vetëvendosjen”, deklaroi ai.
Kurti ka thënë se Kuvendi i Kosovës s’themelohet nga fituesi, pavarësisht a është fitues absolut apo relativ, por Kuvendi duhet të themelohet nga të gjithë bashkë.
“Kuvendi s’themelohet nga fituesi, pavarësisht as është ai fitues absolut apo relativ. Kuvendi themelohet nga të gjithë dhe bashkë. Si fitues të zgjedhjeve, nga takon kryetari i Kuvendit dhe pavarësisht që jemi fitues të zgjedhjeve, na takon një nënkryetar Kuvendi”.
“Ne s’jemi bllokuar sepse kemi propozuar kandidatin tonë. E kemi bërë në fillim menjëherë. Bllokimi vjen prej atyre që votojnë kundër apo ata që s’votojnë fare.. Propozimi ynë për kryetare të Kuvendit është Albulena Haxhiu. Të tjerët re ti ruajnë propozimet e tyre kur t’iu vijë radha atyre. Si fitues na takon kryetari i një nënkryetar dhe katër nënkryetar partive të tjera”, ka thënë Kurti.