Ku do të shkojë Ronaldo? Këta janë favoritët për ta nënshkruar pas mesazhit bombastik nga Arabia Saudite

Pas deklaratës së tij që nënkuptoi largimin nga Arabia Saudite dhe me kontratën që i skadon për vetëm disa ditë, Cristiano Ronaldo ka mundësinë të zgjedhë mes disa klubeve anembanë botës, edhe pse është 40 vjeç.

Ronaldo nuk ka ndërmend të ndalet. Dje përjetoi një zhgënjim të madh me Al-Nassr-in, pasi në xhiron e fundit të Pro Ligës Saudite mbeti jashtë kualifikimit për Ligën e Kampionëve të Azisë. Klubi i tij e përfundoi kampionatin në vendin e tretë.

Ronaldo i zhgënjyer reagoi pas humbjes nga Al-Fateh dhe la të kuptohet se do të largohet nga klubi. Për më tepër, kontrata e tij skadon për disa ditë dhe ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për rinovim.

“Ky kapitull përfundoi. Historia? Ende po shkruhet. Faleminderit të gjithëve,” tha Ronaldo, i cili vazhdon të tërheqë vëmendjen e klubeve nga e gjithë bota.

Edhe pse ndoshta nuk është më në formën e tij të dikurshme, Ronaldo vazhdon të shënojë gola si në “konvejer” në Arabinë Saudite dhe ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit që përfundoi dje. Ai mbetet i dëshiruar nga çdo klub, sepse është një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe më i famshmi që ka zbritur ndonjëherë në fushë.

Janë përmendur dy klube që janë favoritë për ta transferuar dhe që aktualisht po garojnë për shërbimet e portugezit:

  • Sporting Lisbona, klubi ku e nisi karrierën, dhe
  • Los Angeles FC nga SHBA.

Të dy klubet renditen më lart sipas koeficienteve të basteve dhe kanë gjasa të barabarta për ta afruar Ronaldon. Në vend të tretë është Al-Hilal, i cili ndryshe nga Al-Nassr do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror për Klube.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka lënë të kuptohet se Ronaldo do të luajë në këtë turne, që nënkupton se ai me siguri do të largohet nga Al-Nassr, i cili nuk arriti të kualifikohej për këtë garë që fillon në mesin e qershorit.

Kategoritë
Sport