Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar ndaj anulimit të konferencës për shtyp të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova pas protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rohde në një postim në “Blue Sky” thot se Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës dhe informimi i publikut është një element thelbësor i mandatit të tyre.
Rohde ka shprehur shqetësim të thellë për këtë zhvillim, duke theksuar se autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që ky organ gjyqësor të mund të kryejë punën e tij pa pengesa.“Anulimi i konferencës për shtyp pas presionit nga veteranët e UÇK-së ngre shqetësime të mëdha. Autoritetet duhet të sigurojnë që gjykata të mund ta kryejë punën e saj pa pengesa”, ka shkruar Rohde.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës(DHSK) përmes një komunikate ka shprehur keqardhjen për anulimin e detyruar të konferencës për shtyp të planifikuar për sot me gazetarët.
Specialja thotë se konferenca për shtyp është anuluar në interes të sigurisë publike dhe sipas këshillimit nga Policia e Kosovës. /Telegrafi/