Kryetari

Albinot Maloku

Janë rreth 200 kandidatë të certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor të cilët i janë futur fushatës për t’u zgjedhur kryetarë komunash në 38 sosh sa i ka Republika e Kosovës. Pozicioni i kryetarit të komunës sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, është i kompozuar në atë formë që atij apo asaj i jep detyra e obligime gati autonome prej kuvendit komunal në ushtrimin e tyre. Nisur nga këto detyra e obligime kryetari apo kryetarja e komunës, do të duhej të ishte më shumë sesa kandidat i një subjekti politik, për të pas funksion të shëndetshëm e të dobishëm, pas marrjes së pozicionit në fjalë.

Para se të analizojmë rrjedhën e deritanishme të fushatës parazgjedhore të kandidatëve për zgjedhjet lokale, fushatë nga  e cilat do të dalin edhe kryetarët e komunave, do të shikojmë kompetencat të cilat i ka paraparë Ligji për Vetëqeverisje Lokale për kryetarin e komunës. Pra, kryetari veç që përfaqëson komunën dhe vepron në emër të saj, ai apo ajo është edhe udhëheqës i ekzekutivit dhe i administratës së komunës. Mbikëqyr e administron me financat, ekzekuton aktet e Kuvendit, drejton politikën e Komunës, emëron e shkarkon nënkryetarin, shpall, rekruton e largon udhëheqësin e personelit, emëron e shkarkon drejtorët e drejtorive, e një mori obligimesh të cilat kryetarit të komunës nuk i japin vetëm fuqinë e administruesit por edhe të dominuesit të komunës.

Me ndryshimet e para disa kohëve të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale ku u ndërrua forma e zgjedhjes së kryetarit nga kuvendi te populli, në një formë apo tjetër, u bë mjaft e vështirë mbikëqyrja e tij nga kuvendi komunal. Si rrjedhojë e kësaj u krijua një model i koncentrimit të punës në individin e caktuar dhe u krijuan kushtet për transferimin e këtij individi në ngadalësues ose edhe pengues të demokratizimit të vendimmarrjes. Zgjedhja e kryetarit si proces, është komplet demokratike, por sjelljet e kryetarëve pas marrjes së mandatit e kanë rënduar frymën e synuar të demokratizimit të qeverisjes lokale.

Sipas ligjit, po ashtu, kryetari ka edhe kufizime që nuk janë duke u marrë parasysh, ndërsa kandidatët janë në vlugun e fushatës. Ushtrimi i kompetencave duke respektuar parimin demokratik dhe pa i dhënë konotacione politike pas marrjes së mandatit, e pavarësisht se janë persona të ardhur nga grupe të caktuara politike, do të ishin të mjaftueshme për të pas sukses edhe ai apo ajo, respektivisht komuna e drejtuar nga ta. Kjo çështje është studiuar e janë dhënë rekomandime të shumta për përmirësime nga njohësit e qeverisjes lokale në vend.

Nisur nga ato që parasheh ligji do të mundohemi t’i shqyrtojmë edhe paraqitjet e kandidatëve pa veçuar ndonjërin. Përballjet televizive të kandidatëve jo domosdoshmërisht janë kallëzuesit e vetëm të kapacitetit të atyre që i janë futur garës për t’u finalizuar si kryetar komune. Në debate duket se një numër jo i vogël i kandidatëve që kandidojnë për herë parë për kryetar komune nuk e kanë as idenë sesa e çfarë kompetencash ka kryetari i komunës. Ka nga kandidatët që ri-kandidojnë, e që ajo që e thonë tregon se pozicioni i kryetarit për ta nuk do të jetë angazhim për qytetarin por pozitë kalimtare. E nuk është i vogël as numri i kandidatët që kanë qenë kryetar komune dhe me vetëdije vazhdojnë premtimet që nuk janë as në mundësi as në kompetencë të tyre.

Kandidatët për kryetar të komunave të cilët nuk e kanë hulumtuar, studiuar e menduar mirë se çfarë i dhemb e ka nevojë komuna e qytetari i komunës dhe mundësit e kapacitetet ligjore për të ekzekutuar punët e nevojshme, janë ata që më së shumti dominojnë skenën e debatit me premtime krejtësisht ireale. Kandidatët që kanë qenë kryetarë e nuk kanë fjetur asnjë natë në komunën ku ata kanë vepruar, po ashtu janë premtuesit më intensivë të asaj që as nuk është realizuar, e as që do të realizohet ndonjëherë. Degradimi i rolit të kryetarit në ekstremet si premtimi pa mbulesë, premtimi i pa mbajtur, kalimi nga nevojat imediate të qyteteve e të qytetarit në nevoja krejtësisht dytësore, po ashtu është duke e shpenzuar minutazhin e debateve televizive të kandidatëve.

Pa dashur të përmbyllet me kaq çështja e rolit të kryetarit dhe e guximit të kandidatëve për të premtuar qumësht e mjaltë, si sfond të kësaj teme mund të themi se pozicioni i kryetarit realisht është instanca më e afër e qytetarit e që duhet të jetë me shumë me qytetarin e më pak me politikën, pavarësisht se pozicioni tij apo saj vjen nga politika.

Kategoritë
ANALIZA JAVORE

Të ngjajshmet

  • Nëntori

    Albinot Maloku Thuhet se nëntori është muaj i shqiptarëve. Data e 28-të e këtij muaji, në vete ndërlidh disa momente historike, por ndër më të rëndësishmet mbetet Shpallja e...
  • Tribunali

    Albinot Maloku Dhjetori i këtij viti do të jetë muaj i cili do të përmbyllë punën gati tri dekadëshe të mekanizmit i cili u themelua për të ndjekur penalisht...
  • Zëvendësministrat

    Albinot Maloku  Ndonëse debatet rreth zgjedhjeve lokale nuk do të përfundojnë deri më 19 nëntor, kur edhe do të përmbyllet raundi i dytë, për komunat që kanë shkuar në...
  • Njohjet

    Albinot Maloku Diplomacia e Kosovës është sinonim i dështimit. Me gjasë, secili zyrtarë që është emëruar si Ministër i Jashtëm i Kosovës, këtë pozitë e ka perceptuar si prestigj...