Kryesia e LDK dhe Grupi Parlamentar dalin me deklaratë pas takimit në Presidencë, ky është qëndrimi i tyre

Lidhja Demokratike e Kosovës deklaron se e konsideron obligim politik, moral dhe kushtetues të paraqesë qartazi vizionin dhe qëndrimin politik për tejkalimin e krizës aktuale.

LDK thotë se kriza “është pasojë e paaftësisë së partisë së parë për të krijuar shumicën parlamentare, zgjedhjen e kryetarit dhe konstituimit të Kuvendit”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja e tanishme nuk mund të vazhdojë deri në pafundësi. Çdo vonesë në ndërtimin e institucioneve, çdo ditë me një qeveri në detyrë që vepron përtej kompetencave kushtetuese, deri në shkelje të rënda penale, është dëm për interesin e qytetarëve dhe cenon rëndë rendin kushtetues institucional të vendit”, thuhet në deklaratë.

Me qëllim të zgjidhjes së krizës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë propozimin për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse kalimtare, “me mandat dhe detyrime të përcaktuara qartë”.

“Kryesia e LDK-së vlerëson se propozimi i LDK-së për zgjidhjen e krizës është më i përshtatshmi dhe i shërben interesit të vendit”.

Kategoritë
LajmeVendi