Kryeparlamentari libanez dhe ai iranian i kërkojnë SHBA-së të detyrojë Izraelin t’i japë fund luftës në Liban

Thirrja erdhi gjatë një bisede telefonike mes kryeparlamentarëve Berri dhe Qalibaf, ku ata diskutuan zhvillimet e fundit rajonale pas marrëveshjes SHBA-Iran për t’i dhënë fund luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin

Kryeparlamentari libanez, Nabih Berri dhe homologu i tij iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, i kanë bërë thirrje SHBA-së që të detyrojnë Izraelin t’i japë fund luftës në Liban, të ndalojë shkatërrimin e shtëpive dhe të tërhiqet nga territoret libaneze të pushtuara, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë shtetërore libaneze të lajmeve NNA, thirrja erdhi gjatë një bisede telefonike mes kryeparlamentarëve Berri dhe Qalibaf, ku ata diskutuan zhvillimet e fundit rajonale pas marrëveshjes SHBA-Iran për t’i dhënë fund luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.

Agjencia tha se dy zyrtarët gjithashtu shqyrtuan “zhvillimet ushtarake dhe politike që lidhen me memorandumin e mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, veçanërisht klauzolën që ka të bëjë me përfundimin e luftës izraelite në Liban”.

Ata theksuan “nevojën që SHBA-ja, garantuesit e memorandumit të mirëkuptimit dhe komuniteti ndërkombëtar të marrin përgjegjësitë e tyre duke detyruar Izraelin t’i japë fund luftës, të ndalojë shkatërrimin e fshatrave, të respektojë sovranitetin e Libanit dhe të tërhiqet menjëherë nga territoret që ka pushtuar”.

Të dielën, Washingtoni dhe Teherani njoftuan se kanë arritur një memorandum mirëkuptimi për t’i dhënë fund luftës së nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit më 28 shkurt.

Teksa presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se marrëveshja tashmë ishte nënshkruar dhe se Ngushtica e Hormuzit “do të rihapet plotësisht deri të premten”, Teherani ka njoftuar vetëm se memorandumi është planifikuar të nënshkruhet në Gjenevë të premten.

Që nga 2 marsi, Izraeli ka kryer operacione ushtarake në Liban, të cilat sipas shifrave më të fundit zyrtare kanë lënë mijëra të vrarë dhe të plagosur dhe kanë detyruar më shumë se 1 milion njerëz të zhvendosen.

Izraeli mban nën pushtim zona në jug të Libanit, disa prej tyre prej dekadash dhe të tjera që nga lufta e viteve 2023-2024, ndërsa gjatë konfliktit aktual ka avancuar më shumë se 10 kilometra në territorin libanez.

Kategoritë
BotaLajme