Kryeministri Kurti: Viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së Kosovës

“Viti 2024 ka qenë vit i pasaportës tonë. Ajo sot renditet më lartë se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka numëruar disa prej të arriturave gjatë vitit 2024, në mbledhjen e fundit të Qeverisë për këtë vit.

Kurti tha se viti 2024 ka qenë vit i pasaportës së Kosovës.

Ai tha se me rastin e liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian, Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajvani dhe njohjen e pasaportës së Kosovës nga dy shtete mosnjohëse, Spanja dhe Armenia, e kanë bërë këtë vit “vit të pasaportës tonë”.

“Viti 2024 ka qenë vit i pasaportës tonë. Ajo sot renditet më lartë se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave dhe sipas indeksit ‘Henley’, sivjet është në mesin e top 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh në dekadën e fundit”, theksoi Kurti.

E arritur tjetër sipas Kurtit gjatë vitit 2024 ishte edhe inkasimi i faturave të energjisë elektrikë në veriun e vendit, që u bë për herë të parë pas më shumë se dy dekadave.

Ai theksoi tha se marrëveshja e nënshkruar me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi” ishte një prej të arriturave të vitit që po lëmë pas.

“Krahas rritjes së numrit të ushtarëve, fuqizimit të ushtrisë dhe blerjes së armatimeve të ndryshme, bëmë edhe një hap të madh në vendosjen e themeleve të industrisë tonë të mbrojtjes, duke nënshkruar kontratë me prodhuesin shtetëror turk ‘MKE’, për funksionalizimi ne fabrikës së municioneve”, potencoi Kurti.

Kryeministri Kurti në fillim të mbledhjes së Qeverisë gjithashtu ngriti shqetësim për shpenzimin në energji elektrike, duke u bërë thirrje qytetarëve që ta racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike sidomos nga ora 6 e darkës deri në mesnatë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi