Kryeministri Kurti takoi në Berlin kancelarin gjerman Olaf Scholz

“Kryeministri Kurti dhe kancelari Scholz diskutuan mbi marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe, rëndësinë e integrimit në Bashkimin Evropian të Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”, njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi në Berlin Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, ky takim u zhvillua në kuadër të Kongresit të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD).

“Kryeministri Kurti dhe kancelari Scholz diskutuan mbi marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe, rëndësinë e integrimit në Bashkimin Evropian të Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor dhe vizionin e përbashkët si socialdemokrat për zhvillim, drejtësi sociale dhe mirëqenie në të dy vendet”, bëhet e ditur në njoftim.

Kryeministri Kurti shprehu edhe në këtë rast mirënjohjen dhe falënderimin e tij për rolin e rëndësishëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për popullin dhe Republikën e Kosovës.

Ky ishte takimi i dytë bilateral ndërmjet kryeministrit Kurti dhe kancelarit gjerman Scholz këtë vit, nga katër gjithsej në dy vitet e fundit.

Kategoritë
BotaLajmeVendi