Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, planifikon një udhëtim në Uashington

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, planifikon një udhëtim në Uashington, gjatë të cilit dëshiron edhe një takim me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, bëri të ditur kabineti i tij.
Sipas njoftimit, Netanyahu do të takohet në kryeqytetin amerikan me sekretarin amerikan të Shtetit, Marc Rubio, si dhe me ministrin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, përfaqësuesin për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe ministrin e Tregtisë, Howard Lutnick.

Gjatë vizitës në SHBA—që në Izrael e quajnë “turneun fitues” duke iu referuar luftës ajrore 12-ditore kundër Iranit—Netanyahu synon të takohet edhe me Trump-in, megjithëse ende nuk është konfirmuar nëse takimi do të realizohet.

Qëllimi i vizitës, përveç festimit të “fitores mbi Iranin”, është edhe arritja e një marrëveshjeje tregtare me SHBA-në, para se të hyjnë në fuqi tarifat doganore që Trump njoftoi në prill.

Mallrat e importuara nga Izraeli në SHBA do të përballen me një tarifë 17% nga 9 korriku, nëse nuk arrihet marrëveshja.

Megjithatë, nga zyra e Netanyahut bëjnë me dije se kanë “mbetur disa detaje” për t’u sqaruar dhe se janë të bindur se një marrëveshje tregtare me Amerikën do të nënshkruhet.

Kategoritë
BotaLajme