Kryeimami Orhan Ef. Bislimaj për 27-vjeçarin e vrarë në Kobaj: “E la kurbetin për t’u kthyer pranë prindërve”

Kryeimami i Prizrenit, Orhan Ef. Bislimaj, ka shprehur dhimbjen e tij të thellë për vdekjen tragjike të 27-vjeçarit Albion, i cili humbi jetën sot si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë gjatë një përleshjeje mes dy familjeve në fshatin Kobaj të Prizrenit.

Si pasojë e incidentit, lëndime serioze ka pësuar edhe babai i viktimës, 57-vjeçar.

Lidhur me rastin, mjeku kujdestar në Emergjencën e Prizrenit, Kujtim Kryeziu, ka deklaruar se viktima kishte pësuar plagë fatale në pjesën e gjoksit.

“Rreth orës 12:00 erdhi pacienti së bashku me prindin. Pacienti i ndjerë kishte lëndim fatal në regjionin e gjoksit, me gjasë ishte prekur zemra. Reanimimi ka qenë i pamundur dhe është konstatuar vdekja e pacientit”, tha ai.

Pas lajmit tragjik, Kryeimami Orhan Ef. Bislimaj publikoi një mesazh prekës ngushëllimi.

“Ne jemi të Allahut dhe tek Allahu do të kthehemi. Me pikëllim tepër të thellë e morëm lajmin për ndarjen tragjike të Albionit, 27 vjeç, bashkëfshatar i ynë. Nuk kam fjalë për të shprehur dhimbjen për këtë djalë të shkëlqyer.

Ai e deshti Kosovën. Vjet, në këtë kohë, e la kurbetin dhe u kthye në vendlindje. Më tha: ‘Hoxhë, e kam lënë me ardh me kriju familje dhe m’u kanë afër prindërve’, meqë ishte djali i vetëm i tyre.

Zoti të mëshiroftë me xhennet firdeus, o shpirt i bardhë!”, shkroi Bislimaj.

Vdekja e të riut ka tronditur familjarët, miqtë dhe banorët e zonës, ndërsa organet kompetente po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Kategoritë
LajmeVendi