Kryediplomatja kosovare Gërvalla takohet me homologun kroat Radman në New York

Kryediplomatja kosovare Gërvalla takohet me homologun kroat Radman në New York

Gërvalla tha se me homologun Radman kanë biseduar mbi mënyrat e thellimit të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Kroacisë me fokus në disa çështje

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ka takuar në New York ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Gërliq Radman, transmeton Anadolu.

Gërvalla nëpërmjet rrjetit social amerikan X, njoftoi se me homologun Radman kanë biseduar mbi mënyrat e thellimit të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Kroacisë me fokus në disa çështje.

“Prioritetet kryesore përfshijnë njohjen reciproke të patentë-shoferëve, bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes civile, si dhe nxitjen e investimeve përmes Komisionit të Përbashkët për Tregti dhe Ekonomi”, theksoi kryediplomatja kosovare.

Gjithashtu, Gërvalla bëri të ditur se me ministrin kroat janë dakorduar se fuqizimi i të rinjve është çelësi për një demokraci të qëndrueshme dhe të ardhmen e shoqërive të të dyja vendeve.

Ajo tha se Kroacia ka qenë gjithmonë një mike dhe partnere e vërtetë e Kosovës, duke e mbështetur në çdo etapë të shtetndërtimit.

“Për këtë, Kosova i është thellësisht mirënjohëse”, shtoi Gërvalla-Schwarz.

Kategoritë
BotaLajme