Zelenskyy mbërrin në Norvegji për takime me të dërguarin amerikan dhe liderët nordikë

Zelenskyy mbërrin në Norvegji për takime me të dërguarin amerikan dhe liderët nordikë

“Po i ruajmë të gjitha kontaktet që mund të ndihmojnë në arritjen e paqes”, ka thënë presidenti ukrainas.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka mbërritur sot në Norvegji, ku pritet të zhvillojë bisedime me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe liderët nordikë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë në platformën sociale amerikane X, Zelenskyy tha se përveç një takimi dypalësh me Witkoffin, ai do të marrë pjesë edhe në një takim trepalësh me presidentin finlandez Alexander Stubb dhe kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Store.

Ai tha se do të mbahet edhe një takim katërpalësh. Zelenskyy tha se do të pritet nga mbreti i Norvegjisë, Haakon VIII, si dhe do të zhvillojë një takim në parlamentin e vendit, Storting.

“Po i ruajmë të gjitha kontaktet që mund të ndihmojnë në arritjen e paqes. Do të diskutojmë gjithashtu forcimin e mbrojtjes sonë ajrore dhe prodhimin e përbashkët. U jam mirënjohës të gjithëve që mbështesin Ukrainën dhe një rrugë dinjitoze drejt paqes”, shtoi Zelenskyy.

Më herët sot, qeveria norvegjeze njoftoi vizitën e Zelenskyyt përmes një deklarate, duke bërë të ditur se në takimin trepalësh mes presidentit ukrainas, homologut të tij finlandez dhe kryeministrit norvegjez do të “diskutohet situata në Ukrainë”.

“Presidenti Zelenskyy u ka kërkuar Norvegjisë dhe Finlandës të organizojnë një takim në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike, në këtë moment kritik për Ukrainën. Presidenti Stubb dhe unë jemi shumë të kënaqur që mund ta presim këtë takim në Oslo”, citohet të ketë thënë Store.

Në deklaratë u bë e ditur se pas takimit do të mbahet konferencë e përbashkët për media. Në takimet në kryeqytetin norvegjez do të marrin pjesë gjithashtu Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, thuhet më tej në deklaratë.

Duke cituar një zyrtar amerikan, Axios raportoi të hënën se në bisedimet në Oslo pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të grupit E4, të përbërë nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Polonia, si dhe zyrtarë të BE-së dhe NATO-s.

Në lajm, duke cituar zyrtarin amerikan, theksohet se Kushner do të marrë pjesë virtualisht në bisedimet në Oslo, pasi është prekur nga gripi.

Sipas raportimit, zyrtari ka thënë se pas takimeve në Oslo, Witkoff planifikon të udhëtojë drejt Rusisë, ku shpreson të takohet me presidentin rus Vladimir Putin dhe t’i paraqesë idetë e zhvilluara në konsultim me Ukrainën dhe partnerët evropianë.

Kategoritë
BotaLajme