“Pritjet dhe bindja ime është se në një të ardhme shumë të afërt, në një fazë të caktuar, do të kemi përparim të prekshëm në drejtim të normalizimit të plotë të marrëdhënieve tona me Turqinë”, tha Mirzoyan
Ministri i Punëve të Jashtme i Armenisë, Ararat Mirzoyan, ka deklaruar se beson se vendi i tij do të arrijë normalizim të plotë të marrëdhënieve me Turqinë në “të ardhmen e afërt”, transmeton Anadolu.
Para ligjvënësve në një seancë të përbashkët komisioni në parlament, siç raporton agjencia shtetërore Armenpress, Mirzoyan tha se dialogu mes Armenisë dhe Turqisë ka vijuar.
Ai theksoi se në këtë kuadër janë mbajtur disa takime, përfshirë edhe një takim të grupit të punës të krijuar për rihapjen e linjës hekurudhore Kars-Gyumri.
“Pritjet dhe bindja ime është se në një të ardhme shumë të afërt, në një fazë të caktuar, do të kemi përparim të prekshëm në drejtim të normalizimit të plotë të marrëdhënieve tona me Turqinë”, tha Mirzoyan.
“Dua të shpreh besimin se në të ardhmen e afërt ne do të kemi, në fakt, normalizim të plotë”, theksoi ai.
Kryediplomati armen gjithashtu tha se tregtia direkte midis Armenisë dhe Turqisë tashmë ekziston në kuptimin doganor, ndonëse në aspektin gjeografik ajo vazhdon të zhvillohet përmes vendeve të treta.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Turqia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Armenisë më 21 shtator të vitit 1991.
Megjithatë, Ankaraja mbylli kufirin dhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike në vitin 1993 pas pushtimit nga Armenia të rajonit të Karabakut në Azerbajxhan.
Marrëdhëniet filluan të përmirësohen pas Luftës së Dytë të Karabakut në vjeshtën e vitit 2020, kur të dy vendet emëruan të dërguar special për procesin e normalizimit, ku janë mbajtur disa raunde bisedimesh.










