Kroaci: Sulm Islamofobik ndaj kantierit të qendrës kulturore islame në Kroaci

Kantieri i ndërtimit të Qendrës Kulturore Islame në periferi të Zadarit është dëmtuar me grafite fyese ndaj fesë islame; për rastin ka nisur hetime policia e Zadarit.

Sipas informacioneve, persona të panjohur, në periudhën 19–23 mars, kanë shkruar në mure grafite me mesazhe urrejtjeje ndaj myslimanëve, simbole ustashe, si dhe mbishkrime “ZDS”, Ante Pavelić dhe HOS.

Në mure janë parë edhe shkrime si “Allahu nuk ekziston” dhe “Vdekje Islamit”.

Një qytetar që foli për Slobodna Dalmacija tha: “Në vendin e ndërtimit janë shfaqur grafite që përmbajnë mesazhe fyese dhe jotolerante ndaj grupeve fetare. Mendoj se këto janë gjuhë urrejtjeje dhe një formë serioze vandalizmi.”

Policia e Zadarit konfirmoi se po heton grafitet në zonën e Sinjoretovos. Rasti aktualisht trajtohet si dëmtim i pronës, por mund të ndryshojë në varësi të rezultateve të hetimit.

Ndaj autorit ose autorëve të panjohur është ngritur kallëzim penal.

Kategoritë
LajmeRajoni